Një tjetër projekt i madh ndërkombëtar ku do të dëgjohet muzika e Dua Lipës! Këngëtarja me origjinë shqiptare është mes emrave të njohur të muzikës që do të kontribuojnë në kolonën zanore të videolojës së shumëpritur “Grand Theft Auto VI” (GTA VI).
Lista e këngëve të albumit, e cila u zbulua aksidentalisht pas publikimit online të fotografive të versionit në vinyl, përfshin gjithsej 34 këngë. Krahas Dua Lipës, në këtë projekt do të jenë edhe Lana Del Rey, Zara Larsson, Jennie, Rina Sawayama, Arca, Tove Lo, Travis Scott, Morgan Wallen dhe Keith Richards.
Albumi titullohet “GTA VI: The Album” dhe përmban edhe bashkëpunime të veçanta, mes tyre ai i Justice me Michael McDonald. Në kolonën zanore përfshihen gjithashtu emra si Rauw Alejandro, Young Thug dhe Playboi Carti.
Sipas Rolling Stone, lista e plotë u bë publike pasi fotografitë e kopjeve në vinyl, të cilat ishin nxjerrë në shitje para kohe, nisën të qarkullonin në internet. Albumi pritet të publikohet më 20 nëntor, një ditë pas lançimit digjital të vetë videolojës.
Ndërkohë, më 21 nëntor, në Miami do të mbahet edhe një festival muzikor i dedikuar GTA VI, ku do të performojnë Cardi B, Kodak Black, Don Toliver, Travis Scott dhe Justice.
Më herët ishte bërë e ditur se Lana Del Rey, Morgan Wallen, Bad Bunny, Burna Boy dhe Robyn do të kenë gjithashtu një rol në botën muzikore të lojës, duke drejtuar stacionet e tyre radiofonike virtuale.
Për Dua Lipën, pjesëmarrja në një prej videolojërave më të shumëpritura të viteve të fundit shënon një tjetër prezencë në një projekt me audiencë globale./mxh
