Dua Lipa ka vendosur t’i drejtohet gjykatës me një padi multimilionëshe ndaj Samsung, duke pretenduar se kompania ka përdorur imazhin e saj pa leje në promovimin e disa produkteve teknologjike.
Artistja kërkon plot 15 milionë dollarë dëmshpërblim, pasi sipas dokumenteve ligjore të depozituara në Kaliforni, fotografia e saj është përdorur në paketimet e televizorëve të markës pa miratim nga ana e saj apo e ekipit menaxhues.
Bëhet fjalë për një foto të realizuar gjatë performancës së këngëtares në festivalin Austin City Limits, e cila, sipas padisë, ka qenë pjesë e materialeve promocionale të kompanisë që prej vitit të kaluar.
Në dosje thuhet se përfaqësuesit e artistes kanë kontaktuar fillimisht kompaninë për të kërkuar heqjen e menjëhershme të imazhit nga produktet, por kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh. Pikërisht ky refuzim duket se e ka shtyrë çështjen drejt përballjes në gjykatë.
Për të forcuar pretendimet, ekipi ligjor ka përfshirë edhe reagime të konsumatorëve në rrjetin social X, ku disa përdorues shprehen se vendimi për të blerë televizorët është ndikuar drejtpërdrejt nga prania e fytyrës së Dua Lipës në paketim.
Avokatët e këngëtares argumentojnë se imazhi i saj përfaqëson një markë me vlerë të lartë tregtare dhe çdo bashkëpunim komercial përzgjidhet me kujdes të madh. Për këtë arsye, përdorimi i paautorizuar konsiderohet një shkelje serioze e të drejtave të saj.
Tashmë mbetet në dorën e drejtësisë amerikane të vendosë mbi këtë përballje ligjore që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare./mxh
