Dua Lipa vazhdon të koleksionojë suksese në platformat muzikore. Këtë herë, është “Training Season” që i është bashkuar listës së hiteve të artistes me mbi 1 miliard dëgjime në Spotify.
Kënga, pjesë e albumit “Radical Optimism” të publikuar në vitin 2024, ka arritur këtë shifër të rëndësishme, duke u bërë kënga e 15-të e Dua Lipës që kapërcen kufirin e 1 miliard streams në platformën muzikore.
Edhe pse kanë kaluar rreth dy vite nga publikimi i saj, “Training Season” vijon të dëgjohet masivisht nga fansat në mbarë botën.
Vetë Dua Lipa e ka ndarë momentin me ndjekësit në Instagram, duke ripostuar një publikim të fansave që festonte arritjen e re.
Me këtë rekord, artistja britaniko-shqiptare forcon edhe më tej praninë e saj në Spotify, duke shtuar një tjetër këngë të suksesshme në repertorin e hiteve që kanë kaluar shifrën e 1 miliard dëgjimeve./mxh
