Njerëz me lidhje të ngushta me Kremlinin kanë nisur një luftë për të parandaluar ekstradimin e Horacio Potra nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Rumani, ku ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues së bashku me politikanin e ekstremit të djathtë Calin Gheorghescu.
Siç raporton Guardian, Potra – një ish-legjionar në Legjionin e Huaj Francez dhe kreu i formacioneve ushtarake private në Afrikë – u arrestua më 24 shtator në aeroportin e Dubait, së bashku me djalin dhe nipin e tij, pak para se të hipnin në një fluturim për në Moskë.
Sipas autoriteteve rumune, Bukureshti po punon me Emiratet e Bashkuara Arabe për ta ekstraduar atë, ndërsa prokurori i përgjithshëm ka thënë se Potra thuhet se po kërkon azil në Rusi. Një kërkesë për të anuluar urdhër-arrestin në Rumani u refuzua së fundmi nga një gjykatë.
Operacioni për të parandaluar ekstradimin po drejtohet nga Igor Spivak, kreu i Shoqërisë Ruse për Lindjen e Mesme (një organizatë me bashkëpunim të rregullt me Ministrinë e Jashtme Ruse), dhe Alexander Kalinin, një agjent moldav pro-rus i cili është arratisur në Moskë dhe po rekruton moldavë për të luftuar për Rusinë në Ukrainë. Spivak thotë se ka punësuar avokatë në Emirate dhe po përgatitet të udhëtojë për në Dubai, megjithëse pranon se “situata është e vështirë” dhe ekstradimi mund të ndodhë menjëherë.
Potra ka një profil të lartë: ai ka punuar si truproje për udhëheqës (përfshirë emirin e Katarit), ka themeluar kompani ushtarake private dhe ka vendosur burra në zona konflikti nga Republika Qendrore Afrikane në Republikën Demokratike të Kongos – ku rreth 300 luftëtarë të tij u kapën nga M23 në janar dhe u riatdhesuan. Në Rumani, reputacioni i tij u rrit si një bashkëpunëtor i ngushtë i Gheorgheescu-t, i cili fitoi një raund të parë surprizë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 përpara se rezultati të anulohej nga Gjykata Kushtetuese mes akuzave për ndërhyrje ruse. m.p.
