Dy anije peshkimi u goditën nga dronë në Gjirin Persik të hënën në mbrëmje, raportuan mediat iraniane, ndërsa disa persona nga ekuipazhet rezultojnë të zhdukur.
Autoritetet iraniane kanë mobilizuar tashmë forcat për të gjetur dhe shpëtuar ekuipazhet. Zëvendësguvernatori i provincës Hormuzgan i tha agjencisë së lajmeve Mehr të Iranit se dy anijet e peshkimit u sulmuan në brigjet e portit të Kargan.
Autoritetet kanë nisur një operacion kërkim-shpëtimi, pasi fati i anëtarëve të ekuipazhit mbetet i paqartë, me mediat iraniane që raportojnë se ka disa të zhdukur.
Më parë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) mohoi një pretendim nga Garda Revolucionare e Iranit në lidhje me tankerin me flamur panamez El Gaia. Garda Revolucionare kishte pretenduar se anija shpërtheu në flakë pasi goditi një minë në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, CENTCOM raportoi se El Gaia ishte goditur nga një raketë iraniane muajin e kaluar, duke shkaktuar çaktivizimin e saj.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, tankeri u sulmua përsëri gjatë fundjavës, këtë herë nga një dron iranian, ndërsa ndodhej në brigjet e Omanit. Anija aktualisht po tërhiqet nga një partner rajonal, tha Komanda Qendrore e SHBA-së. /k.m
