nspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka reaguar për raportimet në media mbi problematika që lidhen me qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy prej objekteve të “Durrës Marina”.
Në njoftimin e IKMT-së thuhet se një grup i posaçëm, i përbërë nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të AZHT-së, inspektorë të IMT-së të Bashkisë Durrës dhë përfaqësues të Institutit të Ndërtimit, ka kryer verifikime për situatën në terren.
Në përfundim të inspektimit IKMT njofton se ka rezultuar se dy objekte, konkretisht 02 dhe 04, kanë pësuar ulje me 28 dhe 18 cm.
Më tej bëhet me dije se IKMT, i ka kërkuar kompanisë zbatuese të projektit, të marrë masa për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilatgarantojnë qëndrueshmërinë e strukturave.
DEKLARATA E PLOTË:
Në përgjigje të raportimeve të publikuara javët e fundit në media mbi problematika që lidhen me qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy prej objekteve të projektit zhvillimor “Durrës Marina”, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) sqaron sa vijon:
Në zbatim të përcaktimeve ligjore dhe detyrave funksionale, me urdhër të Kryeinspektorit të IKMT-së, u ngrit një grup i posaçëm inspektimi për verifikimin e situatës në terren. Grupi i kontrollit përbëhej nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe përfaqësues të Institutit të Ndërtimit (specialist të fushës).
Verifikimi u krye në lidhje me zbatimin e lejes së ndërtimit nr. 2349/12 prot., datë 10.09.2023, miratuar me Vendimin nr. 34, datë 01.08.2023, të KKT-së, për objektet: “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë” dhe “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë”, në zonat e menaxhimit A02 dhe A04, aktualisht në fazën ndërtimore të sistemimeve të jashtme.
Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se:
Objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm;
Objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm.
Nisur nga këto konstatime, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave.
Ky projekt përforcimesh, përpara zbatimit, duhet të marrë miratimin nga autoritetet ligjore përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit.
Duke falënderuar median për bashkëpunimin dhe kontributin e saj, IKMT garanton se në kordinim me institucionet e tjera shtetërore sipas fushës së përgjegjësisë, mbetet maksimalisht e angazhuar dhe do të mbikëqyrë në vijimësi zbatimin e përcaktimeve ligjore në kantieret e ndërtimit. /kb
