Në rrugët e Parisit, biçikletat po bëhen gjithnjë e më të pranishme dhe turistët kanë një rol të rëndësishëm në këtë ndryshim. Udhëtimet turistike me biçikletë janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke u kthyer në një mënyrë të preferuar për të zbuluar kryeqytetin francez.
Parisi po shndërrohet në një nga qytetet më të përshtatshme për çiklizëm. Kjo u jep turistëve francezë dhe të huaj mundësinë të shohin monumentet dhe lagjet e qytetit në një mënyrë ndryshe.
Në qershor, Parisi priti rreth 3.8 milionë turistë, rreth 3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, sipas zyrës së turizmit. Me rritjen e numrit të vizitorëve, gjithnjë e më shumë prej tyre po zgjedhin biçikletën në vend të autobusit ose ecjes për të lëvizur në qytet.
“Që nga Covid-i, çiklizmi në Paris është rritur shumë. Shumë më tepër njerëz duan të bëjnë ture me biçikletë dhe të marrin biçikleta me qira. Është bërë një mënyrë shumë e njohur për të zbuluar qytetin”, thotë Michaël Tosello, i cili organizon ture me biçikletë në Paris.
Edhe jashtë kryeqytetit janë krijuar shumë rrugë të reja për biçikleta. Këto rrugë lidhin Parisin me destinacione si Londra, Mont-Saint-Michel dhe Spanja, përmes itinerarit Scandibérique.
Për të përballuar kërkesën në rritje, në Paris janë krijuar shumë kompani që organizojnë ture me biçikletë. Vizitorët mund të shohin në vetëm disa orë monumente të njohura si Notre-Dame, Concorde, Champs-Élysées dhe Kulla Eiffel.
Sipas guidës Jean-Baptiste Blondiaux, biçikleta është një nga mënyrat më të mira për të parë sa më shumë vende. “Në dhjetë minuta me biçikletë mund të shohësh dy monumente të ndryshme. Në këmbë, kjo është e pamundur”, thotë ai.
Edhe turistët amerikanë e kanë zgjedhur këtë mënyrë për të vizituar Parisin. Familja Buss, e cila po udhëton në Evropë për 12 ditë, mori pjesë në një tur treorësh me biçikletë. Për familjen, biçikleta ishte zgjedhja ideale për shkak të kohës së kufizuar në dispozicion.
“Është një mënyrë e shkëlqyer për të zbuluar qytetin. Është e vështirë të përthithësh gjithçka, por shpjegimet e guidës dhe fakti që jemi jashtë duke e përjetuar qytetin e bëjnë këtë përvojë të mrekullueshme”, thotë Mike Buss.
Sot, Parisi ka më shumë se 1,000 kilometra korsi për biçikleta. Bashkia synon ta zgjerojë edhe më tej këtë rrjet. Në planin afatgjatë, qyteti pritet të ketë rreth 1,500 kilometra infrastrukturë për biçikletat dhe mjetet e tjera të lëvizjes së butë, duke e bërë Parisin edhe më të lehtë për t’u eksploruar me biçikletë./mxh
