Last Updated on 09/04/2026 by EL
Një mbrëmje e mbushur me fjalë, kujtesë dhe ndjesi solli në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski” jehonën e dy prej zërave më të mëdhenj të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, njoftoi sot Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Nën titullin “Zërat shqiptarë në letërsinë europiane”, aktiviteti i organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Departamentin e Studimeve Ballkanike, mblodhi diplomatë, akademikë, studentë dhe personalitete të kulturës, mes tyre edhe drejtorin e Institutit francez në Sofje, Luc Levy dhe Anisa Ymerin, drejtore e Shtëpisë Muze Kadare, në Tiranë.
Në fjalën e saj, ambasadorja e Shqipërisë në Bullgari, Inid Milo solli në thelb dy dimensionet e këtyre autorëve: Kadarenë që na fton të mendojmë dhe Agollin që na bën të ndiejmë, duke kujtuar se gjuha mbetet vendi ku ndërthuren identiteti, historia dhe imagjinata.
Leximet në shqip dhe në përkthim, të shoqëruara nga interpretime muzikore të studentëve, krijuan një urë të gjallë kulturore mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, një dëshmi se letërsia jonë jo vetëm që udhëton, por edhe bashkon.
Aktiviteti u pasqyrua gjithashtu nga BTA, agjencia qendrore bullgare e lajmeve, duke i dhënë jehonë ndërkombëtare këtij promovimi të kulturës shqiptare. A.K./et
