Last Updated on 13/10/2026 by EL
Agjencia për Media dhe Informim ka përgënjeshtruar informacionet që po qarkullojnë në disa faqe në Instagram dhe platforma të tjera, sipas të cilave dy studentë të lënduar gjatë protestës ndodhen në intubim.
Në njoftimin e saj, Agjencia e cilëson këtë informacion të pavërtetë dhe u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformimit.
“Informacioni që po qarkullon në disa faqe në Instagram dhe platforma të tjera, sipas të cilit dy studentë ndodhen në intubim, është i pavërtetë”, thuhet në njoftim.
Agjencia u kërkon qytetarëve të mos besojnë dhe të mos shpërndajnë informacione të paverifikuara, të cilat mund të krijojnë panik dhe shqetësim te publiku dhe familjarët.
Sipas njoftimit, informacioni zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës, qofshin protestues apo punonjës të Policisë së Shtetit, përcillet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Agjencia për Media dhe Informim u bën thirrje qytetarëve që të informohen vetëm përmes burimeve zyrtare dhe të besueshme./ET
