Dy persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se kanë ndezur qëllimisht zjarre në fshatrat Eskaj dhe Hasturkas. Njëri prej tyre, 60 vjeç, u kap duke ndezur zjarr në tokën që kishte marrë me qira, ndërsa 25-vjeçari dyshohet se shkaktoi zjarr në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta, pranë grykëderdhjes së lumit Seman, ku flakët përfshinë bimësi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.
Ndërkohë, dy persona të tjerë, 71 dhe 77 vjeç, janë proceduar penalisht pasi dyshohet se kanë shkaktuar zjarre nga pakujdesia në tokat e tyre në Varibop dhe Çërrilë të Mallakastrës. Për shkak të erës së fortë, flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në sipërfaqe me bimësi.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore dhe pastrimin e tokave me zjarr, duke paralajmëruar përgjegjësi ligjore për shkelësit.
