Aktorja Halle Berry dhe ish-bashkëshorti i saj, Olivier Martinez, janë përfshirë sërish në një betejë ligjore për djalin e tyre 12-vjeçar, Maceo.
Martinez ka siguruar përkohësisht kujdestarinë kryesore, duke akuzuar aktoren për dhunë fizike ndaj djalit. Berry i ka mohuar kategorikisht akuzat, ndërsa avokatja e saj i ka cilësuar ato “krejtësisht të pabazuara”.
Përplasjet mes ish-bashkëshortëve nuk janë të reja. Ata u ndanë në vitin 2015, ndërsa divorci u finalizua vetëm në vitin 2023, pas një beteje të gjatë ligjore. Berry është urdhëruar të paguajë 8 mijë dollarë në muaj për mbështetjen e djalit, si dhe shpenzimet për sigurimin shëndetësor, terapinë, arsimin privat dhe aktivitetet jashtëshkollore.
Në vitin 2024, aktorja kishte kërkuar kujdestarinë e vetme ligjore, duke pretenduar se djali po përballej me vështirësi serioze në shkollë dhe ishte diagnostikuar me ADHD dhe disleksi të lehtë.
Situata është përshkallëzuar së fundmi pasi Martinez ka marrë një urdhër të përkohshëm mbrojtjeje nga dhuna në familje, i cili përfshin atë dhe djalin e tyre. Sipas urdhrit, Berry duhet të qëndrojë të paktën 91 metra larg ish-bashkëshortit.
Në dokumentet gjyqësore, Martinez pretendon se gjatë rreth 18 muajve të fundit Berry është përfshirë disa herë në episode fizike me djalin e tyre. Ai përmend edhe një incident në të cilin, sipas versionit të tij, aktorja e kapi djalin nga qafa gjatë një konflikti në dhomën e tij. Ai ka pohuar se Berry hyri në dhomë, e shtyu dhe më pas e kapi nga qafa, duke i thënë: “Kush dominon tani?” Sipas tij, djali arriti të largohej dhe nisi të bërtiste.
Në dhomë, sipas dëshmisë së Martinez, hyri edhe partneri aktual i Berry, Van Hunt, i cili e ndihmoi Maceon të përgatitej për t’u larguar nga shtëpia. Më vonë, Martinez thotë se mori një telefonatë të dëshpëruar nga djali, i cili i kërkoi të shkonte ta merrte “menjëherë”.
Berry ka aktualisht të drejtë ta takojë djalin dy ditë në javë dhe çdo fundjavë të dytë. Gjykata do ta shqyrtojë çështjen më 16 tetor, kur pritet të vendosë edhe për masat e mëtejshme lidhur me kujdestarinë.
Përplasja e re mes ish-çiftit vjen pas vitesh mosmarrëveshjesh ligjore që nga ndarja e tyre në vitin 2015./mxh
