Last Updated on 03/12/2024 by adminfjala
Analisti Ben Andoni, i ftuar në një intervistë televizive, tha se rikthimi i Berishës nga një anë i shërben jashtëzakonisht deputetëve të PD, por nga ana tjetër i pengon, sepse shumica kthehen në vartës të tij.
Andoni mëtej u shpreh se e shqetëson “patetizmi i Berishës” dhe “cinizmi i Ramës”, ndërkohë që shqiptarët përballen me probleme jetike. Ai e konsideroi jashtëzakonisht sensitive çështjen e pronave të ushtrisë, që u ngrit si shqetësim nga Berisha në dalje të Kuvendit.
“Më është dukur sikur ka munguar fare pak. Gjithmonë në stilin e tij edhe brenda Parlamentit. Ai ka shpalosur të gjithë sensin e tij për disa çështje. Çështja e pronave të ushtrisë është jashtëzakonisht sensitive, pasi e gjithë bota po flet sot për rrezikun e luftës, dhe vetëm vendi jonë ka një lloj qetësie, sikur jemi të mbrojtur nga Zoti. Nga ana tjetër ka pasur mundësinë të flasë edhe për minimumin jetik dhe çështje të tjera. Por Berisha duhet të kujtojë diçka që qenësia e tij dhe qenësia e z.Rama vitet e fundit është shkak i kësaj situate ku është Shqipëria në ditët tona. Personalisht më shqetëson shumë patetizmi i Berishës dhe cinizmi i Ramës, sepse shqiptarët përballen me probleme gati jetike. Opozitës do t’i shërbejë jashtëzakonisht shumë rikthimi i Berishës, por edhe do ta pengojë pak.
Deri tani një pjesë e PD dukeshin të çliruar. Ndërsa tani, po ta shikonit edhe nga gjuha e trupit, z.Noka dhe të tjerë janë thjesht vartësit e z.Berisha. Në mendimin tim ka shumë të drejt që përmend pronat e ushtrisë, në këtë kohë duhet folur për pronat e ushtrisë. Shqipëria duhet t’i ruante. E gjithë skandinavia po merret me mbrojtjen, Gjermania, Austria, Polonia. Ndërsa ne bëjmë paradoksin që mjediset e ushtrisë i përshtasim për gjëra turizmi. Bardhi është lideri zyrtar i PD, për fatin e keq të z.Berisha, sepse z.Berisha i ka të bllokuara kontaktet zyrtare ndërkombëtare. Bashkimi i tanishëm i PD është thjesht një aliazh. Pas 8 janarit, ajo urrejtje s’besoj se është fashitur as pas 2 vjetësh. Të gjithë do t’i shkojnë nga pas përkohësisht Berishës.
Gjendjen e vërtetë në PD do ta marrim vesh vetëm kur të shpallen listat. Socialistët janë të qetë me z.Berisha, sepse merren vetëm me një personazh, ndërkohë që më parë duhet të merreshin me disa. Më vjen keq që gjithë këto muaj PD nuk mori një mësim të madh, që duhet të kishin njerëz të rinj në drejtimin e tyre. E keni parë peshën e z.Alimehmeti, nuk duket fare tani, por në momentin që e shpalli PD, jo vetëm ka patur entuziazëm te vet njerëzit e PD, por edhe te njerëzit gri, që prisnin një fytyrë intelektuale, të paqtë, normale”.
Andoni tha se nuk dihet nëse Berisha do ta pranojë Metën apo jo. “Akoma z.Berisha s’ka artikuluar. Z.Berisha është lojtari më i sofistikuar politik te ne. Ai dhe Rama. Z.Berisha i duhet edhe pak kohë nëse do ta pranojë z.Meta apo jo. Ka detyrim ndaj tij pasi partia e Metës e mbështeti në momentet më të vështira. Por ka një logjikë që është pragmatiste që z.Berisha ka informacion shumë më të madh se ne të dy për gjërat që mund të ndodhin në të ardhmen në PL, dhe s’mund të rrezikojë formacionin e tij, në këtë segment të fundit të jetës së vet, për t’i bërë nder z.Meta”. /K.B