Një 26-vjeçare turke, e cila ishte dënuar për një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një motoristi, është gjetur e pajetë në një banesë në Mal të Zi, ku po qëndronte për pushime.
Bëhet fjalë për Ege Karaaslan, e cila më 11 tetor 2024 u përfshi në një aksident në Manisa të Turqisë. Sipas të dhënave të bëra publike, ajo kishte kaluar me semafor të kuq dhe ishte përplasur me motorin e 27-vjeçarit Hasan Emre, i cili humbi jetën në vendngjarje.
Pas aksidentit, Karaaslan u arrestua dhe u dënua fillimisht me 4 vite e 3 muaj burg. Pas ankimit të familjes së viktimës, dënimi u rrit në 5 vite burg.
Megjithatë, më 18 mars gjykata vendosi lirimin e saj, duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim. Familja e Hasan Emres e kundërshtoi vendimin dhe çështja vijonte të shqyrtohej në gjykatë, pa një vendim përfundimtar.
Në fillim të shtatorit, 26-vjeçarja udhëtoi drejt Malit të Zi për të vizituar një mik. Më 13 shtator, ajo u gjet pa shenja jete në banesën ku po qëndronte.
Rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet nuk kanë përcaktuar shkakun e saj. Trupi i Karaaslan pritet të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Izmir për t’iu nënshtruar autopsisë, përpara se të varroset në Balıkesir./k.m
