Chiara Ferragni ka marrë një dhuratë mjaft të veçantë nga partneri i saj, José Hernández, me rastin e 10-mujorit të lidhjes së tyre.
Menaxheri me origjinë kolumbiane ka përgatitur për sipërmarrësen italiane një album me skica, përmes të cilave ka rrëfyer historinë e dashurisë së tyre. Në të janë përfshirë vizatime për secilin muaj që kanë kaluar së bashku, duke risjellë momente të veçanta nga marrëdhënia e tyre.
Në faqen e fundit të albumit shkruhet: “Dhjetë muaj me dashurinë e jetës sime”, ndërsa paraqitet edhe një vizatim ku çifti shfaqet i përqafuar.
Ferragni e ndau dhuratën me ndjekësit në Instagram të martën, më 3 nëntor, duke publikuar skicën së bashku me fotografinë reale të çiftit.
“Jam ende e sëmurë, por kjo është kaq e ëmbël”, shkroi ajo në përshkrimin e postimit.
Edhe motra e saj, Francesca Ferragni, reagoi duke pyetur nëse vizatimet ishin realizuar nga vetë José apo ishin krijuar me inteligjencë artificiale. Influencuesja konfirmoi se albumi ishte vepër e partnerit të saj: “I bëri ai”.
Më pas, Chiara publikoi njëra pas tjetrës skicat në historitë e saj në Instagram, duke zbuluar se partneri kishte përgatitur nga një vizatim për çdo muaj të lidhjes së tyre.
Marrëdhënia e çiftit nisi në shkurt. Gjatë verës, Ferragni udhëtoi drejt Barranquilla-s në Kolumbi, qyteti ku jeton familja e partnerit të saj, dhe kaloi disa ditë me ta. Ajo u prit ngrohtësisht nga familjarët e José dhe nuk e fshehu emocionin për këtë përvojë.
“Faleminderit të gjithëve që më bëtë të ndihem pjesë e familjes”, shkroi ajo asokohe në rrjetet sociale./mxh
