Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar, Ferdinant Hoti, trupi i të cilit u gjet brenda një automjeti të zhytur në lumin Tergola, në San Giorgio delle Pertiche, në provincën e Padovës, Itali.
Hoti, shtetas shqiptar dhe banues në Mirano, u gjet i pajetë në pjesën e pasme të një Fiat Bravo të zezë, pa targa. Trupi i tij ishte futur në një qese të zezë, ndërsa mbi të ishin vendosur goma automjetesh, në një përpjekje për ta mbajtur të zhytur në ujë.
Sipas ekzaminimeve të para mjeko-ligjore, 35-vjeçari ishte qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt. Në momentin e ekzekutimit, ai kishte duart e lidhura.
Autopsia ka konfirmuar gjithashtu se Hoti kishte vdekur përpara se trupi të përfundonte në ujë. Në mushkëri nuk janë gjetur shenja uji, duke përjashtuar mundësinë që ai të jetë mbytur.
Për hetuesit, mënyra se si është kryer vrasja dhe më pas është fshehur trupi përforcon dyshimet se bëhet fjalë për një ekzekutim të planifikuar.
Dyshimet për një larje hesapesh
Një nga pistat që po shqyrtohet nga hetuesit lidhet me një larje hesapesh në ambientin e trafikut të lëndëve narkotike.
Kjo mbetet një hipotezë hetimore dhe deri tani nuk ka një motiv të konfirmuar zyrtarisht. Karabinierët po përpiqen të rindërtojnë aktivitetin, kontaktet dhe lëvizjet e fundit të 35-vjeçarit për të kuptuar nëse ai mund të ketë qenë i përfshirë në ndonjë konflikt apo çështje që lidhet me këtë ambient.
Hoti ishte i regjistruar si banues në Mirano, ndërsa për forcat e rendit përshkruhet edhe si person pa një vendbanim të qëndrueshëm. Hetuesit po analizojnë veçanërisht personat me të cilët ai ka pasur kontakte para vrasjes.
Misteri i Fiat Bravo-s
Një tjetër pikë kyçe e hetimit është automjeti i përdorur për transportimin dhe fshehjen e trupit.
Karabinierët kanë identifikuar pronarin e Fiat Bravo-s përmes numrit të shasisë, pasi makina ishte gjetur pa targa në ujërat e Tergolës.
Automjeti rezulton në pronësi të një personi që banon në provincën e Venecias. Megjithatë, sipas informacioneve të publikuara nga mediat italiane, pronari nuk kishte denoncuar vjedhjen e makinës.
Ai është marrë në pyetje nga hetuesit, të cilët po përpiqen të kuptojnë se si automjeti përfundoi në duart e personave që e përdorën për të fshehur trupin dhe nëse pronari ka apo jo ndonjë lidhje me ngjarjen.
Fakti që makina ishte pa targa është një tjetër element që po shqyrtohet nga hetuesit.
A e njihnin autorët zonën?
Një prej pyetjeve kryesore që po përpiqen të zgjidhin hetuesit është arsyeja përse autorët zgjodhën pikërisht atë pjesë të lumit Tergola për të hedhur automjetin.
Makina u gjet pranë një prize/porte uji, në një pikë ku niveli i ujit kishte bërë të mundur që automjeti të mbulohej pothuajse plotësisht. Sipas hetuesve, zgjedhja e vendit mund të tregojë se autorët e njihnin zonën, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që të kenë mbërritur aty rastësisht.
Megjithatë, vendi nuk është aspak i izoluar. Pranë tij ndodhet një rrethrrotullim dhe një arterie e rëndësishme rrugore, ndërsa zona është e ndriçuar dhe mbulohet nga disa kamera sigurie.
Pikërisht pamjet e kamerave janë kthyer në një prej provave më të rëndësishme për hetimin.
Karabinierët po analizojnë regjistrimet e kamerave të zonës, përfshirë edhe ato të një punishteje druri pranë vendit ku u gjet automjeti.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë rrugën që ka ndjekur Fiat Bravo përpara se të përfundonte në ujë dhe nëse në pamjet e kamerave shfaqet ndonjë automjet tjetër që mund ta ketë shoqëruar.
Një prej hipotezave që po shqyrtohet është se mund të ketë pasur më shumë se një person të përfshirë, pasi personat që do ta kenë shtyrë automjetin në ujë do të duhej të kishin edhe një mënyrë tjetër për t’u larguar nga zona.
Po rindërtohen orët e fundit të jetës së Hotit
Hetuesit po rindërtojnë lëvizjet e Ferdinant Hotit gjatë mbrëmjes së 7 shtatorit, me qëllim identifikimin e personave me të cilët është takuar dhe vendeve ku ka qëndruar para se të ekzekutohej.
Përveç pamjeve të kamerave, po shqyrtohen edhe të dhëna të tjera që mund të ndihmojnë në përcaktimin e kontakteve dhe lëvizjeve të tij në orët para vrasjes.
Sipas raportimeve të fundit, trupi mund të ketë qëndruar për disa orë në ujë përpara se automjeti të zbulohej.
Fakti që viktima ishte qëlluar nga afër, kishte duart e lidhura dhe më pas ishte futur në një qese e rënduar me goma, ka bërë që hetuesit ta trajtojnë ngjarjen si një ekzekutim të mirëorganizuar dhe një përpjekje të qëllimshme për të zhdukur gjurmët.
Hetimi vazhdon
Deri tani, motivi i saktë i vrasjes dhe identiteti i autorëve mbeten të paqartë.
Karabinierët e Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Padovës, së bashku me efektivët e kompanisë së Cittadella-s, po vijojnë hetimet nën koordinimin e prokurores Claudia Brunino.
Fokusi i hetimit është tashmë te rindërtimi i orëve të fundit të jetës së Hotit, identifikimi i personave me të cilët ai ka pasur kontakte, përcaktimi i mënyrës se si Fiat Bravo përfundoi në lumin Tergola dhe verifikimi i çdo gjurme që mund të çojë te autorët.
Ndërkohë, pista e një konflikti të mundshëm të lidhur me trafikun e drogës mbetet një prej hipotezave që po shqyrtohen, ndërsa hetuesit presin edhe përfundimin e plotë të ekzaminimeve mjeko-ligjore, të cilat mund të japin të dhëna të tjera mbi kohën dhe dinamikën e vrasjes./mxh
