Enxhi Qirici, 32 vjeçe, ish-police e Departamentit të Policisë së Bostonit, u shpërblye me 1 milion dollarë pasi një gjykatë federale konstatoi se ajo kishte përjetuar një ambient pune armiqësor. Megjithatë, juria vendosi se ngacmimet seksuale dhe komentet diskriminuese që ajo pretendonte nuk ishin arsyeja e vërtetë e shkarkimit të saj.
Qirici, me origjinë shqiptare, u largua nga detyra në vitin 2019, teksa ishte ende në periudhë prove. BPD argumentoi se arsyeja e shkarkimit ishin dy incidente të sjelljes së papërshtatshme: një përplasje me një oficer të Universitetit Northeastern dhe një debat me një oficer të aeroportit të Boston Logan. Të dyja ngjarjet, sipas departamentit, treguan se ajo “nuk ishte e përshtatshme për punë”.
Nga ana tjetër, Qirici pretendoi se ishte viktimë e ngacmimeve seksuale dhe raciste, që nisën pasi kolegët mësuan për lidhjen e saj me oficerin Eliot Telisnor, i cili është me ngjyrë. Ajo raportoi se kolegët bënin shaka të pahijshme, aludime mbi jetën e saj intime dhe komente mbi trupin e saj. Në mars 2019, ajo paraqiti një ankesë zyrtare për diskriminim – dhe tre javë më vonë u shkarkua, çka avokati i saj e cilësoi si hakmarrje.
Gjykata megjithatë vendosi se, edhe pse ngacmimet ekzistonin, shkarkimi lidhej me sjelljen e saj gjatë periudhës së provës. Pas largimit nga policia, Qirici përfundoi studimet juridike dhe sot punon si avokate, megjithëse dëshmoi se të qenit police kishte qenë ëndrra e saj./MXH
