Sipas të dhënave të publikuara nga Opta, Lautaro Martinez, Kylian Mbappe, Erling Haaland dhe Harry Kane janë të vetmit katër futbollistë që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në më shumë se 10 gola në secilin prej shtatë sezoneve të fundit në pesë ligat kryesore të Evropës.
Kapiteni i Interit ishte protagonist absolut në fitoren 2-1 ndaj Genoas të dielën në “Marassi”, duke kontribuar me një gol dhe një asistim.
Falë kësaj paraqitjeje, sulmuesi argjentinas kryeson aktualisht listën e golashënuesve në Serie A me tetë gola, një më shumë se ylli i Milanit, Christian Pulisic.
Statistikat e Optas të publikuara në rrjetin social X konfirmojnë vazhdimësinë dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të Lautaros në vitet e fundit.
“Lautaro Martinez është një nga katër lojtarët e vetëm që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në më shumë se 10 gola (8 gola dhe 3 asistime këtë sezon) në secilin prej shtatë sezoneve të fundit në ligat e mëdha evropiane, së bashku me Kylian Mbappe, Erling Haaland dhe Harry Kane. I pandalshëm”, shkruan Opta.
Që nga transferimi te Interi në verën e vitit 2018, “El Toro” ka realizuar 165 gola në 355 ndeshje me fanellën zikaltër, duke u shndërruar në një prej ikonave moderne të klubit. m.p.
