Teksa presidenti amerikan luhatej mes kërcënimeve për të marrë Groenlandën dhe premtimeve për të ndihmuar Ukrainën, deklaratat për një “NATO më të fortë” humbën në zhurmën e retorikës.
Paul Taylor
Liderët e NATO-s i mbijetuan edhe një samiti tjetër të mbushur me tensione për shkak të Donald Trumpit, ndërsa aleanca 77-vjeçare e mbrojtjes tregoi edhe një herë se është mjaftueshëm e qëndrueshme për t’i përballuar stuhitë transatlantike. Megjithatë, ajo nuk do të ndihet kurrë plotësisht e sigurt për sa kohë në Shtëpinë e Bardhë ndodhet një president amerikan i paparashikueshëm, hakmarrës dhe që i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare vetëm si transaksione.
Si zakonisht, Trump dominoi titujt kryesorë të samitit vjetor me një përzierje kritikash ndaj NATO-s dhe kërcënimesh të pabesueshme për të marrë kontrollin e Groenlandës apo për të kufizuar tregtinë me Spanjën. Ai deklaroi se armëpushimi me Iranin kishte marrë fund dhe i quajti drejtuesit iranianë “fundërrina”, ndërsa avionët luftarakë amerikanë bombardonin objektiva iraniane përgjatë ngushticës së Hormuzit. Përballë një materiali kaq tërheqës për mediat, asnjë komunikatë e NATO-s nuk kishte shanse të tërhiqte vëmendjen e publikut.
Pyetja më e rëndësishme është se cilën shfaqje po ndiqte Vladimir Putin: sezonin e 94-t të “Trump sulmon NATO-n”, apo deklaratën e qartë dhe optimiste të samitit të Ankarasë, e cila riafirmonte “angazhimin e hekurt për mbrojtjen kolektive sipas Nenit 5” dhe lidhjen transatlantike.
Rreziku është që Putini, i zhytur në një luftë në Ukrainë që nuk mund ta fitojë dhe për të cilën fajëson jo agresionin e vet imperialist, por zgjerimin e NATO-s, t’i kushtojë më shumë vëmendje “topit të rrënimit” të Trumpit sesa deklaratave solemne për unitetin dhe vendosmërinë e aleatëve. Nuk do të ishte çudi nëse ai do të arrinte në përfundimin se ky president amerikan – pavarësisht çfarë thuhet në komunikatë – nuk do të lëvizte as gishtin për të mbrojtur një aleat baltik në rast se Rusia do të ndërmerrte një sulm të befasishëm territorial ose do të intensifikonte luftën hibride kundër Evropës, për ta paraqitur NATO-n si një “tigër prej letre”.
Samiti i Ankarasë ishte menduar të përqendrohej në përmbushjen e angazhimit të NATO-s për të investuar deri në vitin 2035 plot 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje dhe infrastrukturën përkatëse, në përshpejtimin e industrisë së mbrojtjes së aleatëve dhe në garantimin e mbështetjes afatgjatë për Ukrainën. Në letër, samiti i përmbushi të tre objektivat.
Njoftimet e koordinuara për blerje pajisjesh ushtarake me vlerë dhjetëra miliarda dollarë dhe projektet e përbashkëta për kapacitete jetike – si avionët cisternë për furnizim në ajër, raketat me rreze të gjatë dhe sistemet e mbrojtjes ajrore – treguan qartë se aleatët evropianë dhe Kanadaja po investojnë shuma të mëdha për forcimin e mbrojtjes së tyre, ndërkohë që SHBA-ja po redukton gradualisht praninë e saj ushtarake në Evropë.
Liderët u zotuan gjithashtu të “vazhdojnë punën për eliminimin e barrierave në tregtinë e mbrojtjes mes aleatëve”. Megjithatë, mbeti e paqartë nëse kjo formulim ishte një paralajmërim për Bashkimin Evropian që të mos përfshijë klauzola “Blej Evropiane” në projektet e përbashkëta të financuara nga BE-ja, apo një kërkesë drejtuar SHBA-së për të lehtësuar kufizimet mbi transferimin e teknologjisë, të cilat bëjnë që aleatët të mos kenë kontroll të plotë mbi sistemet amerikane të armëve që blejnë.
Deklarata përfundimtare shtoi edhe sloganin e ri: “Një Evropë më e fortë në një NATO më të fortë”, duke iu bashkuar termave tashmë të njohur si “ndarja e barrës” dhe, së fundmi, “zhvendosja e barrës”. Aleatët evropianë janë qartësisht të vendosur të ndërtojnë kapacitete më të mëdha mbrojtëse në këto kohë të pasigurta.
Megjithatë, slogani nuk u jep evropianëve një përgjigje të qartë se sa mbështetje amerikane mund të presin ende. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se Pentagoni po zhvillon një rishikim gjashtëmujor të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni mund të përdorë tërheqjen e trupave si mjet ndëshkimi ndaj aleatëve që konsiderohen se kanë “dështuar”. Nuk u sqarua nëse ky “dështim” do të matej nga shpenzimet e pamjaftueshme për mbrojtjen apo nga mungesa e mbështetjes për luftën amerikane kundër Iranit.
Ndryshimi më i madh i samitit të Ankarasë krahasuar me atë të vitit të kaluar në Hagë ishte pranimi nga SHBA-ja i një deklarate të fuqishme në mbështetje të Ukrainës. Vetëm 16 muaj pasi Trump e kishte qortuar Volodymyr Zelenskyn në Zyrën Ovale, duke i thënë se “nuk i kishte letrat në dorë”, NATO deklaroi zyrtarisht se:
“Ukraina kontribuon në sigurinë transatlantike dhe aleatët qëndrojnë të bashkuar në mbështetjen e palëkundur për Ukrainën në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.”
Mark Rutte, i cilësuar shpesh me ironi si “lajkatari suprem i Trumpit” në NATO, meriton vlerësime për rolin që luajti në afrimin e presidentit amerikan me çështjen e Kievit, ashtu si edhe tre aleatët kryesorë evropianë – Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Ata kanë mbështetur vazhdimisht Volodymyr Zelenskyn dhe e kanë ndihmuar të rezistojë ndaj përpjekjeve amerikane për ta detyruar të pranonte një marrëveshje armëpushimi të padrejtë, e cila do ta shpërblente Putinin për pushtimin brutal me lëshime territoriale.
Ndoshta përfundimi më pozitiv që mund të nxirret nga samiti i Ankarasë është se NATO vazhdon të ekzistojë dhe Ukraina ka dalë më e fortë, madje duke marrë edhe një premtim nga Trump se do të lejohet të prodhojë me licencë raketat për sistemin Patriot.
Megjithatë, me një president amerikan që e trajton diplomacinë transatlantike si një sport brutal, të ngjashëm me ndeshjet pa rregulla në kafaz, aleatët nuk mund ta dinë se ku do të bjerë goditja e radhës dhe nëse ajo do të jetë fatale apo thjesht një gërvishtje.
Ndoshta nuk është rastësi që aleatët nuk arritën të bien dakord as për kohën dhe as për vendin e samitit të ardhshëm. SHBA-ja ka të drejtë kur kërkon më pak samite të NATO-s, veçanërisht ato ku merr pjesë “Shkatërruesi i Madh”. Ironia nuk u shpëtoi shumëkujt kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, u dhuroi liderëve të NATO-s një revole të personalizuar me gdhendje dhe me municion të vërtetë. Autokrati që u shfaq si mikpritës i përzemërt mund të ketë gjetur metaforën më të goditur për gjendjen aktuale të aleancës: një lojë ruse e ruletës.
*Paul Taylor është studiues i lartë pranë European Policy Centre.
