Mjeku Ermal Pashaj, i cili është njëkohësisht edhe aktivist në protestat qytetare, ka theksuar nevojën për një ndryshim të klasës së vjetër politike në vend. Sipas tij, situata aktuale kërkon një qasje të re, ku profesionistët të kenë më shumë hapësirë në vendimmarrje dhe zbatimin e ligjeve.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, Pashaj përdori një metaforë për të ilustruar qëndrimin e tij ndaj politikës së vjetër, duke thënë:
“Mendoj që është edhe një element kundër politikës së vjetër dhe kundër politikbërjes së vjetër. Edhe uji kur rri shumë qelbet. Ndryshimi besoj që në të gjitha resurset shqiptare ka elementë mjaftueshëm të aftë për ta shtyrë këtë punë përpara. Ky ndryshim do të sjellë një përparim. Zbatimi i ligjeve, lejimi i figurave profesioniste, që të zbatojnë në fushat e tyre ato që duhet të zbatojnë, jo nomeklatura që do duhet të komandohen në një mënyrë apo në një tjetër”, tha Pashaj.
I pyetur nëse qytetarët mund të përfaqësohen nga një forcë e re politike që mund të lindë nga protestat, mjeku u shpreh se një zhvillim i tillë është i mundshëm, por ende nuk ekziston konkretisht.
“Kjo lloj situate mund të çojë edhe drejt maturimit të një force të re politike. Aktualisht nuk di të ketë një lëvizje të tillë akoma. Pjesa më e madhe përfaqësohen nga interesa qytetare që s’janë përmbushur. Kauza s’do bjerë për sa kohë këto interesa s’janë përmbushur”, u shpreh ai./a.d
