Islanda është bërë vendi i radhës që njofton bojkotin e saj ndaj Festivalit Europian të Këngës 2026, duke iu bashkuar Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës. Të pesë shtetet kanë tërhequr pjesëmarrjen pasi konfirmimit zyrtar të pranisë së Izraelit në garë javën e kaluar.
Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes së bordit të Radiotelevizionit Kombëtar Islandez (RÚV), thuhet se vendi nuk do të marrë pjesë në Eurovision 2026, që do të mbahet në Vjenë të Austrisë. Sipas RÚV, pjesëmarrja e transmetuesit publik izraelit, KAN, ka shkaktuar përçarje si brenda Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), ashtu edhe në opinionin publik.
Vendimi i Islandës erdhi pak orë para afatit zyrtar për konfirmimin e pjesëmarrjes në edicionin e 70-vjetorit të Eurovisionit, që pritet të zhvillohet majin e ardhshëm. Islanda besohej të ishte vendi i fundit që kishte mbetur pa dhënë përgjigjen përfundimtare.
Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision është shndërruar në një prej pikave më të mëdha të tensionit, për shkak të luftës në Gaza dhe shqetësimeve mbi proceset e votimit e fushatave, përfshirë akuzat se qeveria izraelite tentoi të ndikonte votimin publik gjatë këtij viti. Javën e kaluar, EBU miratoi një seri masash të reja për të mbrojtur integritetin e votës, dhe shumica e vendeve konfirmuan pjesëmarrjen në konkursin e vitit 2026.
Megjithatë, RÚV deklaroi se edhe pse masat e reja adresojnë disa prej shqetësimeve të tyre, “mbeten ende dyshime nëse ato janë plotësisht të mjaftueshme”. Transmetuesi theksoi se artistët, shoqatat kulturore dhe opinioni publik në Islandë janë shprehur kundër pjesëmarrjes, ndërsa kishte kërkuar nga EBU përjashtimin e KAN, duke iu referuar rasteve të mëparshme të ngjashme.
Në deklaratë thuhet se situata ka dëmtuar imazhin e konkursit dhe të EBU-së, duke e bërë pjesëmarrjen e Islandës “as burim gëzimi e as paqeje”. Për këtë arsye, vendi arriti në përfundimin se nuk do të marrë pjesë në Eurovision 2026.
Spanja ishte e para që njoftoi tërheqjen, pasi kërkesa e saj për votim mbi pjesëmarrjen e Izraelit u refuzua. Irlanda, Sllovenia dhe Holanda morën të njëjtin vendim pas samitit të EBU-së javën e kaluar.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i KAN, Golan Yochpaz, e quajti përpjekjen për të përjashtuar Izraelin nga gara “bojkot kulturor” dhe paralajmëroi se një precedent i tillë mund të dëmtojë edhe vende të tjera në të ardhmen.
Izraeli merr pjesë në Eurovision që prej vitit 1973 si anëtar i EBU-s, duke fituar katër herë, së fundmi në vitin 2018, ndërsa në konkursin e vitit 2025 u rendit në vend të dytë./mxh
