Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise ka zhvilluar një vizitë në Prokurorinë e Posaçme. Ambasada amerikane në Tiranë ka ndarë pamje dhe detaje nga vizita e Debevois, e cila u zhvillua për të shprehur vlerësimin e SHBA për punën e Kryeprokurorit, Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Ambasada thekson se përpjekjet e Dumanit vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare. Më tej, ambasada shprehet se shpreson që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe me kreun e ri të SPAK, pasardhësin e Dumanit.
Postimi i plotë:
Përballja me krimin ndërkombëtar kërkon një angazhim të përbashkët. Sot, Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise vizitoi SPAK-un për të shprehur vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për t’u përballur me rrjetet e paligjshme që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të luftuar korrupsionin që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë. Përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij./mxh
