Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka depozituar një kërkesë për interpelancë me kryeministrin Edi Rama, lidhur me editorialin e publikuar në bashkëautorësi me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në median gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Në kërkesën e tij, Shehu thekson se qëndrimet e shprehura në editorialin Rama-Vuçiç, ku propozohet një qasje e re për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian drejt Ballkanit Perëndimor, bien në kundërshtim me rezolutat e miratuara më herët në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas deputetit demokrat, pavarësisht se bëhet fjalë për një artikull, ai reflekton një vullnet politik të kryeministrit dhe për rrjedhojë të qeverisë shqiptare, duke pasur pasoja të drejtpërdrejta politike dhe diplomatike në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Shehu nënvizon se propozimi për të hequr dorë nga anëtarësimi i plotë në BE dhe për t’u fokusuar vetëm në integrimin në tregun e brendshëm dhe zonën Schengen bie ndesh me objektivin strategjik të Shqipërisë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian.
Postimi i Shehut
Depozitova kërkesën për interpelancë me Kryeministrin në lidhje me botimin e artikullit me bashkëautor Z. Vuçiç. Teksti i kërkesës është në vazhdim:
— Më 28 shkurt 2026, Kryeministri Z. Edi Rama, me bashkëautorësi të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç kanë publikuar një editorial në median gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Së bashku, ata kanë bërë një propozim publik drejtuar Bashkimit Europian për një qasje të re në procesin e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke hequr dorë nga anëtarësimi i plotë, por duke u vetëmjaftuar me një integrim të vendeve kandidate vetëm në tregun e brendshëm dhe zonën Schengen.
Pavarësisht se ai është një artikull, nuk mund të mos reflektojë një vullnet politik të Kryeministrit dhe për rrjedhojë të Qeverisë së Shqipërisë, aq më shumë kjo kur realizohet në bashkëautorësi me Presidentin e Serbisë. Si i tillë, ai ka detyrimisht pasoja politike e diplomatike rajonale, në marrëdhëniet e vendit tonë me Brukselin dhe vendet partnere, gjë që bën imperative këtë interpelancë parlamentare.
Në fakt, ky qëndrim i Kryeministrit Edi Rama bie në kundërshtim me rezolutat e miratuara më herët në Kuvendin e Shqipërisë, ku shprehet qartësisht vullneti për anëtarësimin e plotë në BE si objektiv madhor dhe strategjik, të rikonfirmuar përmes deklaratave të përbashkëta Shqipëri-BE në kuadër të Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asociimit. Njëkohësisht, kështu shkelen parimet e Kuadrit Negociator Shqipëri-BE, që përbën një angazhim kontraktual me Bashkimin Europian. Dhe më e rëndësishmja, kështu cenohen interesat strategjike të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe në tërësi të faktorit shqiptar në rajon.
Me qëllim garantimin efektiv të vullnetit të shprehur nga Kuvendi, si dhe të interesave strategjike kombëtare, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në nenin 80, pika 1 të Kushtetutës dhe nenin 96, pikat 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një interpelance me Kryeministrin Z. Edi Rama lidhur sa më sipër paraqita./mxh
