Last Updated on 27/10/2026 by Monika
Një gjykatë në Egjipt ka urdhëruar mbylljen e medias së pavarur të lajmeve “Mada Masr”, një nga të paktat në vend, që njihet për publikimin e lajmeve dhe analizave kritike ndaj autoriteteve.
Gjykata ka vendosur gjithashtu një gjobë të rëndë ndaj kryeredaktores së saj.
Gjykata në Kajro e shpalli kryeredaktoren Lina Attalah, fajtore për drejtimin e një faqeje interneti që nuk ishte regjistruar zyrtarisht dhe i vendosi gjobën maksimale, në një vlerë prej rreth 53 mijë dollarësh.
Ajo urdhëroi gjithashtu sekuestrimin e pasurive të medias.
Sipas raportimit të “Mada Masr”, pas shpalljes së vendimit, forcat e sigurisë e morën Attalah në paraburgim në ambientet e gjykatës.
Ky vendim përbën një goditje të rëndë për gazetarinë e pavarur në Egjipt, ku liria e shtypit vazhdon të jetë shumë e kufizuar.
“Mada Masr” është një media që publikon lajme në gjuhën arabe dhe angleze.
Ajo u themelua në vitin 2013 nga Lina Attalah dhe disa kolegë të saj.
Media ka deklaruar se ka bërë disa përpjekje për të marrë licensën e nevojshme nga autoriteti shtetëror që mbikëqyr mediat, por pa sukses.
Vitet e fundit, Attalah dhe gazetarë të tjerë të medias, janë arrestuar ose marrë në pyetje disa herë.
Ndaj tyre janë ngritur akuza, ndër të tjera, për përhapje të lajmeve të rreme dhe rrezikim të sigurisë kombëtare.
Organizatat për lirinë e shtypit dënojnë vendimin
Organizata Reporterët pa Kufij (RSF) e dënoi vendimin e gjykatës, duke e cilësuar atë si “skandaloz”, dhe kërkoi anulimin e menjëhershëm të tij.
Në renditjen e saj për lirinë e shtypit, kjo organizatë e rendit Egjiptin në vendin e 169-të mes 180 vendeve.
Ajo thekson se mediet në vend, kontrollohen gjerësisht nga shteti, shërbimet e sigurisë dhe biznesmenë me ndikim që kanë lidhje me qeverinë.
Vendimi vjen në një kohë kur mediet e pavarura në vend vazhdojnë të përballen me presion.
Muajin e kaluar, gjashtë gazetarë të faqes së pavarur “Matsda2sh”, e cila verifikon vërtetësinë e lajmeve dhe informacioneve, u arrestuan nën akuzat për përhapje të thashethemeve dhe informacioneve të rreme për institucionet shtetërore.
Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar vazhdimisht qeverinë e presidentit Abdel-Fattah al-Sissi se po shtyp zërat kundërshtues dhe po forcon kontrollin mbi debatin publik në vend./mxh
