Last Updated on 27/10/2026 by Monika
Bilanci i viktimave nga sulmi i armatosur në fshatin Binnari, në verilindje të Nigerisë, ka shkuar në të paktën 62 të vrarë. Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Emergjencave konfirmoi të martën se mijëra persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre pas sulmit të së premtes.
Sipas degës nigeriane të organizatës Amnesty International, persona të armatosur sulmuan fshatin në shtetin Taraba, duke u vënë zjarrin shtëpive, dyqaneve, rezervave ushqimore dhe motoçikletave. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi ekipet në terren vijojnë kërkimet dhe po punojnë për të gjetur trupa të tjerë.
Zëdhënësi i policisë në Taraba, Victor Mshelizah, deklaroi se operacionet e kërkimit janë ende në zhvillim dhe se çdo trup i gjetur do të përfshihet në bilancin përfundimtar të viktimave.
Nigeria po përballet prej më shumë se 15 vitesh me një krizë të rëndë sigurie, e cila nisi me kryengritjen e grupit të armatosur Boko Haram kundër qeverisë. Në veri të vendit, komunitetet civile janë vazhdimisht në shënjestër të grupeve të armatosura, të cilat kryejnë sulme dhe rrëmbime për shpërblim.
Amnesty International kritikoi autoritetet nigeriane për masat e pamjaftueshme në mbrojtje të popullsisë, duke theksuar se komunitetet rurale po lihen në mëshirën e sulmeve të përsëritura.
Organizata kërkoi një hetim të paanshëm për masakrën dhe dëmshpërblim të përshtatshëm për të mbijetuarit, duke nënvizuar se deklaratat dënuese të autoriteteve nuk mjaftojnë për të parandaluar tragjedi të tilla./mxh
