Last Updated on 11/11/2026 by Monika
Shumica e ekonomive më të mëdha të botës po bëjnë përparime të pamjaftueshme në luftën kundër ndryshimeve klimatike, sipas një renditjeje ndërkombëtare të publikuar gjatë samitit vjetor të Kombeve të Bashkuara për klimën, që po zhvillohet në Turqi.
Indeksi i fundit i Performancës së Ndryshimeve Klimatike (CCPI) tregon se shumica e vendeve të G20-s, të cilat janë përgjegjëse për më shumë se 80% të emetimeve globale të dioksidit të karbonit, nuk po bëjnë përpjekje të mjaftueshme për të frenuar ngrohjen globale.
Mbretëria e Bashkuar ishte i vetmi vend anëtar i G20-s që mori një vlerësim të lartë, duke u renditur në vendin e shtatë në nivel global.
Ndërkohë, 10 vende u klasifikuan në kategorinë më të ulët, mes tyre Turqia dhe Australia, të cilat këtë vit bashkëdrejtojnë bisedimet klimatike të COP31.
Indeksi, i hartuar çdo vit nga organizatat Germanwatch dhe NewClimate Institute, vlerëson performancën klimatike të 64 vendeve dhe Bashkimit Evropian, të cilat së bashku janë përgjegjëse për më shumë se 90% të emetimeve globale të gazeve serrë.
Danimarka kryesoi sërish renditjen, e ndjekur nga Lituania dhe Luksemburgu.
Megjithatë, tri vendet e para në klasifikim mbetën pa pozicion, pasi asnjë shtet nuk u konsiderua se po bën mjaftueshëm për të përmbushur objektivin e Marrëveshjes së Parisit për kufizimin e ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale.
Kina, emetuesi më i madh në botë i gazeve serrë, vijoi të renditej pranë fundit të klasifikimit, pavarësisht rolit të saj udhëheqës në zgjerimin e energjisë së rinovueshme.
Gjermania humbi tri pozicione, duke zbritur në vendin e 25-të. Ky është viti i tretë radhazi që vendi shënon rënie në renditje, ndërsa politikat e tij kombëtare për klimën morën vlerësime veçanërisht të dobëta.
Ndër vendet e Bashkimit Evropian me performancën më të dobët renditen Sllovakia, Kroacia dhe Polonia, të pozicionuara përkatësisht në vendet 50, 49 dhe 48.
Autorët e raportit theksuan se, përveç Mbretërisë së Bashkuar, edhe Portugalia, Spanja dhe Maroku morën vlerësimin “mirë”.
Sipas tyre, këto vende kanë kuadër ligjor të qëndrueshëm për veprimet klimatike, si në përcaktimin e objektivave, ashtu edhe në zbatimin e tyre.
Një nga autorët e raportit, Jan Burck, nënvizoi se zgjerimi i shpejtë i energjisë së rinovueshme, sistemeve të ruajtjes së energjisë dhe automjeteve elektrike ofron mundësi të rëndësishme për përballimin e ndryshimeve klimatike.
Megjithatë, ai paralajmëroi se përparimi politik në këtë drejtim mbetet i ngadaltë dhe në disa vende po shënon regres, si në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht zhvillimeve të forta teknologjike dhe ekonomike./MXH
