Last Updated on 11/11/2026 by Monika
Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA rrëzoi kërkesën për nisjen e procedurës së shkarkimit ndaj sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, me 211 vota kundër dhe 204 pro. Votimi u shoqërua me një debat të fortë për mungesën e 11 deputetëve demokratë, të cilët, nëse do të ishin të pranishëm në sallë, mund të kishin ndikuar në rezultatin përfundimtar dhe të ndryshonin fatin e nismës për shkarkimin e kreut të Pentagonit.
Në total, 18 deputetë nuk morën pjesë në votim, mes tyre shtatë republikanë dhe 11 demokratë. Një prej emrave më të njohur ishte ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila ndodhej në shtetin e saj për të marrë pjesë në një aktivitet me veteranët.
Disa prej deputetëve të tjerë shpjeguan se nuk kishin mundur të mbërrinin në kohë për shkak të trafikut, ndërsa të tjerë përmendën arsye shëndetësore apo çështje urgjente personale. Dy prej tyre nuk kanë dhënë ende një shpjegim për mungesën.
Mungesa e deputetëve në votimin vendimtar nxiti kritika dhe reagime të forta edhe nga vetë kolegët e tyre demokratë. Senatori i zgjedhur Abdul El-Sayed kritikoi kolegët e tij, duke deklaruar se përfaqësuesit e zgjedhur duhet të jenë të pranishëm në sallë dhe të kryejnë detyrën për të cilën janë mandatuar. Edhe demokratja Alexandria Ocasio-Cortez u shpreh se pjesëmarrja në votime është një detyrim ndaj qytetarëve, duke e krahasuar përgjegjësinë e deputetëve me atë të çdo punonjësi që duhet të paraqitet në vendin e punës.
Reagimi më i ashpër erdhi nga deputetja demokrate Sydney Kamlager-Dove, e cila i cilësoi mungesat të turpshme, duke theksuar se votimi ishte i paralajmëruar dhe të gjithë deputetët duhet të kishin bërë përpjekjet e nevojshme për të qenë të pranishëm.
Sipas saj, ishte e papranueshme që iniciativa të dështonte për shkak të mungesës së vetë demokratëve, ndërsa republikanët, pavarësisht kundërshtimit të nismës, arritën të paraqiteshin në sallë për të votuar kundër saj./MXH
