Përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme po rrezikon të shkaktojë pasoja afatgjata në furnizimin global me energji, paralajmërojnë ekspertët.
Sipas analistit amerikan Ken Medlock, dëmtimet e mundshme të përhershme në infrastrukturën energjetike në rajon mund të ndërpresin furnizimet me naftë dhe gaz edhe pas përfundimit të konfliktit.
Një nga pikat më kritike mbetet Strait of Hormuz, një korridor kyç për transportin e energjisë, nga i cili kalon rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë dhe gaz të lëngshëm.
Ndërprerjet në këtë rrugë, të shoqëruara me sulme ndaj rafinerive, porteve dhe fushave të prodhimit, mund të krijojnë pasoja që zgjasin shumë më tepër se vetë lufta.
Sipas vlerësimeve, prodhimi i naftës në Lindjen e Mesme mund të ulet nga 7 deri në 10 milionë fuçi në ditë, duke përbërë deri në 10 për qind të kërkesës globale.
Ndërkohë, sulmet ndaj objekteve energjetike në rajon kanë çuar në rritje të fortë të çmimeve, me naftën që ka kaluar mbi 110 dollarë për fuçi dhe tregjet që mbeten në pasiguri të lartë.
Eksperti Medlock paralajmëron se konsumatorët do të jenë më të goditurit, pasi rritja e çmimeve të energjisë përkthehet në kosto më të larta për ushqime, transport dhe mallra të përditshëm.
Ai nuk përjashton as mundësinë që ekonomia amerikane të përballet me recesion, ndonëse të lehtë, nëse kriza vazhdon.
Ndërkohë, tregjet globale të energjisë mbeten në alarm, pasi çdo sulm i ri ndaj infrastrukturës kritike në rajon mund të thellojë krizën dhe të zgjasë ndikimin ekonomik në shkallë botërore./MXH
