Last Updated on 23/11/2026 by EL
Zbritjet e mëdha të promovuara gjatë periudhës së Black Friday nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht kursim për konsumatorët. Shpesh, ato shërbejnë si strategji marketingu për të nxitur shitjet dhe për të rritur konsumin.
I ftuar në një intervistë televizive, eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa, tha se një ulje çmimi mund të konsiderohet kursim vetëm nëse konsumatori e njeh çmimin e mëparshëm të produktit dhe ka planifikuar blerjen e tij.
Sipas tij, nëse një qytetar blen produkte vetëm sepse sheh reklama me ulje prej 50 apo 70 për qind, pa pasur nevojë reale për to, atëherë nuk bëhet fjalë për kursim, por për shpenzim të panevojshëm.
“Zbritja është edhe kursim nëse ke planifikuar t’i blesh ato produkte të domosdoshme, ke njohur çmimet paraprake dhe më pas aplikohet ulja. Në të kundërt, nëse blen vetëm sepse i sheh me zbritje, atëherë nuk ke bërë kursim, por ke bërë shpenzim”, u shpreh ai.
Eksperti ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi uljet që arrijnë deri në 70 për qind, duke theksuar se ulje të tilla mund të jenë të lidhura edhe me likuidimin e mallit apo mbylljen e një biznesi.
Ai nënvizoi se Black Friday është kthyer në një instrument të rëndësishëm marketingu, përmes të cilit kompanitë synojnë të tërheqin sa më shumë klientë dhe të rrisin shitjet.
Duke folur për sjelljen e konsumatorëve, Bellaqa tha se shoqëria kosovare është më shumë konsumuese sesa prodhuese. Sipas tij, pavarësisht inflacionit dhe rënies së fuqisë blerëse, qytetarët vazhdojnë të shpenzojnë, madje edhe për produkte luksi.
“Ne jemi më shumë konsumues sesa prodhues. Inflacioni e ka ulur fuqinë blerëse, por përsëri shpenzojmë. Vetëm fakti që shohim reklama dhe fjalën ‘zbritje’ na krijon bindjen se po blejmë më lirë”, theksoi eksperti.
Ai këshilloi konsumatorët të ndjekin çmimet e produkteve edhe përpara periudhave promocionale, në mënyrë që të kuptojnë nëse uljet e reklamuara janë reale dhe nëse blerja përbën vërtet një përfitim ekonomik./et
