Last Updated on 22/11/2025 by EL
Çmimi i vezëve në Kosovë ka tejkaluar të gjitha rekordet e larta të deritanishme. Sipas të dhënave zyrtare, asnjëherë në vitet e pasluftës çmimi nuk ka qenë 6.39 euro për një komplet prej 30 kokrrash vezë.
Një shtrenjtim i madh është vënë re në dhjetorin e 2022 dhe janarin e 2023, por, megjithatë, nuk ka tejkaluar 5 euro për një komplet vezësh. Ndërsa këto ditë, në raftet e disa marketeve dhe supermarketeve, konsumatori mund ta gjejë çmimin e produktit më shumë se 6 euro.
Ndërkohë, në dyqanet e prodhuesit dhe tregtarit më të njohur të prodhimeve të shpendëve “Konsoni”, vlera e vezëve papritmas shkoi nga 4,50 euro kompleti në 5 euro, një rritje mbi 10 për qind, raporton Tv Scan.
Për rritjen ekstreme të këtyre ditëve të çmimit të vezëve nuk ka asnjë shpjegim zyrtar dhe as nga prodhuesit. Shitësit justifikohen duke u shprehur se ‘çmimin nuk e përcaktojnë ata, pasi vetëm tregtojnë produktin’.
Sipas ekspertëve të sektorit, Kosova ka kapacitete të mjaftueshme të pularive për të plotësuar nevojat e banorëve të vendit me vezë. Nga ana tjetër, nuk ka ndonjë ngritje çmimi të materialit riprodhues, as të misrit apo të produkteve të tjera të nevojshme për ushqimin e shpendëve.
Vrojtues të tregut kanë shpjeguar se shumë prodhues të vezëve në Kosovë po i eksportojnë vezët në Shqipëri, për shkak të ofertës së lartë dhe çmimeve të leverdishme. Ata ngulin këmbë se ky është një nga faktorët që ka ndikuar në shtrenjtimin e produktit në Kosovë.
Në përgjithësi, ngritja e çmimeve edhe këtë vit ka vazhduar hovshëm, sidomos produktet ushqimore, duke tejkaluar mesataren e viteve të fundit. Sipas të dhënave, deri në nëntor të këtij viti, grupi i produkteve ushqimore zë vendin kryesor të shpenzimeve në familjet kosovare./e.t
