Dy persona janë shpallur fajtorë nga drejtësia britanike për sulmet ndaj pronave të lidhura me kryeministrin britanik Keir Starmer, ndërsa hetimet kanë ngritur dyshime se pas organizimit të tyre mund të qëndrojë një rrjet me origjinë ruse.
Në qendër të çështjes ndodhet një person misterioz i njohur vetëm me pseudonimin “El Money”, i cili sipas prokurorëve komunikonte me autorët e sulmeve përmes aplikacionit Telegram dhe i udhëzonte ata për objektivat që duhej të goditeshin.
Vendimi u dha nga gjykata Old Bailey në Londër, e cila shpalli fajtorë ukrainasin Roman Lavrynovych, 22 vjeç, dhe rumunin Stanislav Carpiuc, 27 vjeç, për komplot me qëllim dëmtimin e pronës përmes zjarrvënies. Ndërkohë, i pandehuri i tretë, Petro Pochynok, 35 vjeç, u shpall i pafajshëm pasi juria vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme që ta lidhnin drejtpërdrejt me planin kriminal.
Ngjarjet nisën në maj të vitit 2025, kur një automjet Toyota Rav4 i lidhur me Starmer u përfshi nga flakët në zonën Kentish Toun të Londrës Veriore. Vetëm pak ditë më vonë pasuan edhe dy sulme të tjera ndaj pronave që kishin lidhje me kryeministrin. Njëra prej tyre ishte një ndërtesë e administruar nga një kompani ku Starmer kishte qenë më parë drejtor dhe aksionar, ndërsa tjetra ishte shtëpia ku ai kishte jetuar më parë dhe që vazhdonte të ishte në pronësi të tij.
Sipas Prokurorisë, sulmet u kryen gjatë natës dhe krijuan rrezik të madh për jetën e banorëve. Në njërin prej rasteve, një banor i katit të sipërm u zgjua nga aroma e tymit dhe u detyrua të ngjitej në çati për të kërkuar ndihmë. Hetuesit deklaruan se flakët mund të kishin shkaktuar pasoja tragjike nëse do të ishin përhapur më tej në ndërtesë.
Një tjetër objektiv ishte shtëpia ku jetonte kunata e kryeministrit, Judith Alexander, së bashku me partnerin dhe vajzën e saj. Ajo tregoi para gjykatës se u zgjua nga dy shpërthime të forta dhe pa tym të dendur pranë hyrjes së banesës. Sipas dëshmisë së saj, familja përjetoi momente paniku dhe frike të madhe, ndërsa pasojat mund të kishin qenë shumë më të rënda.
Hetimet zbuluan se Roman Lavrynovych kishte marrë udhëzime nga “El Money”, i cili i premtoi 3 mijë paund në kriptovaluta në këmbim të kryerjes së sulmeve dhe filmimit të tyre. Qëllimi, sipas komunikimeve të zbuluara nga hetuesit, ishte që ngjarjet të merrnin sa më shumë vëmendje mediatike.
Pas sulmeve, organizatori anonim i kërkoi Lavrynovych të largohej nga Londra dhe i premtoi para shtesë, telefon të ri dhe ndihmë ligjore në rast arrestimi. Identiteti i “El Money” mbetet ende i panjohur, por hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që ai të ketë lidhje me rrjete ruse të angazhuara në aktivitete destabilizuese.
Gjatë procesit gjyqësor, Lavrynovych pranoi se kishte vendosur zjarrin, por pretendoi se kishte vepruar nën presion dhe kërcënime. Ai deklaroi se besonte se “El Money” ishte një person me ndikim dhe lidhje politike. Sipas dëshmisë së tij, më parë ishte paguar për veprime të tjera provokuese, përfshirë grafite me përmbajtje raciste dhe shpërndarje materialesh anti-myslimane.
Nga ana tjetër, Stanislav Carpiuc mohoi përfshirjen aktive në sulme, duke deklaruar se e kishte konsideruar planin të paligjshëm dhe absurd. Megjithatë, juria arriti në përfundimin se provat e paraqitura nga prokuroria tregonin pjesëmarrjen e tij në komplot.
Pas shpalljes së vendimit, drejtuesja e Policisë Kundër Terrorizmit në Londër, Helen Flanagan, deklaroi se deri më tani nuk ka prova që “El Money” të ketë vepruar drejtpërdrejt në emër të një shteti. Megjithatë, ajo theksoi se qëllimi i sulmeve ishte qartësisht krijimi i frikës, pasigurisë dhe shqetësimit në Britani, si dhe ushtrimi i presionit psikologjik ndaj kryeministrit.
Autoritetet britanike vazhdojnë hetimet për të zbuluar identitetin e vërtetë të “El Money” dhe për të përcaktuar nëse pas sulmeve fshihet një rrjet më i gjerë me lidhje ndërkombëtare./mxh
