Kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga suksesi i Legally Blonde, por historia e Elle Woods rikthehet sërish në ekran, këtë herë me një kapitull krejtësisht të ri. Prime Video ka publikuar trailerin e parë të serialit “Elle”, versioni i shumëpritur që do t’i çojë fansat pas në kohë, në vitet e adoleshencës së personazhit ikonik.
Seriali do të shfaqet premierë më 1 korrik dhe do të tregojë jetën e Elle Woods shumë përpara se ajo të bëhej studentja karizmatike e drejtësisë që publiku njohu në film. Madje, projekti ka marrë tashmë dritën jeshile edhe për një sezon të dytë, përpara publikimit të sezonit të parë.
Sipas përshkrimit zyrtar, seriali ndjek Elle gjatë viteve të shkollës së mesme dhe zbulon eksperiencat që formësuan personalitetin e saj plot vetëbesim, humor dhe ambicie. Pikërisht këto momente pritet të shpjegojnë se si vajza bjonde e apasionuar pas modës u kthye në një nga personazhet më të dashur të komedive romantike.
Në rolin kryesor do të shohim Lexi Minetree, e cila merr kështu rolin e saj të parë të madh televiziv. Ajo ka qenë më parë pjesë e projekteve si Law & Order: SVU, “The Murdaugh Murders”, “Crowdsource Murder” dhe “The Paramedic Who Stalked Me”.
Kastit i bashkohen edhe June Diane Raphael në rolin e nënës së Elle dhe Tom Everett Scott si babai i saj. Në serial do të luajnë gjithashtu Chloe Wepper, David Burtka, Brad Harder, Kayla Maisonet, Lisa Yamada, Gabrielle Policano, Jacob Moskovitz, Chandler Kinney, Zac Looker, Jessica Belkin, Logan Shroyer, Amy Pietz dhe Matt Ober. Pjesë e kastit është edhe James Van Der Beek.
Xhirimet e “Elle” nisën në prill të vitit 2025, ndërsa Reese Witherspoon e ndau lajmin me fansat përmes Instagramit, duke publikuar një foto të Lexi Minetree.
“Harvardi ishte i vështirë. Shkolla e mesme ishte më e vështirë”, shkroi aktorja.
Seriali është krijuar nga Laura Kittrell, e cila mban edhe rolin e producenteve ekzekutive së bashku me Caroline Dries. Mes producentëve ekzekutivë janë gjithashtu Reese Witherspoon, Lauren Neustadter, Marc Platt, Amanda Brown dhe Jason Moore, i cili ka drejtuar dy episodet e para.
Me atmosferën nostalgjike të viteve të para të Elle Woods dhe energjinë ikonike që e bëri personazhin kaq të dashur, “Elle” duket se synon të rikthejë magjinë e Legally Blonde për një brez të ri shikuesish./mxh
