Ellen DeGeneres është rikthyer në vëmendjen e publikut me një intervistë në emisionin e Graham Norton, ku ka folur hapur për jetën e saj larg televizionit dhe dëshirën për t’u rikthyer në një profesion që, siç pranoi vetë, vazhdon t’i mungojë.
Ish-prezantuesja e njohur, 68 vjeçe, i dha fund emisionit të saj të përditshëm në vitin 2022, pas një periudhe të vështirë për imazhin e saj publik. Dy vite më parë, disa ish-punonjës ngritën shqetësime për atmosferën në vendin e punës dhe pretendime për sjellje të papërshtatshme, duke nxitur një hetim të brendshëm.
Pas largimit nga ekrani, DeGeneres është vendosur në Cotswolds të Anglisë, ku jeton së bashku me bashkëshorten e saj, Portia de Rossi. Pavarësisht distancës nga bota televizive, ajo duket se nuk e ka humbur nostalgjinë për profesionin që e bëri një nga figurat më të njohura të ekranit amerikan.
Gjatë bisedës me Graham Norton, Ellen tregoi se i mungon veçanërisht krijimtaria që shoqëronte punën e saj, nga shkrimi i batutave dhe bashkëpunimi me skenaristët, deri te energjia që merrte nga publiku. Ajo la të hapur mundësinë e angazhimeve të reja në televizionin britanik, megjithëse nuk bëri të ditur nëse ka marrë oferta konkrete.
Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe ndikimit të sitcom-it të saj në përfaqësimin e komunitetit LGBTQ+ në televizion. Personazhi që ajo interpretoi në serial u bë një nga personazhet e para kryesore homoseksuale të deklaruara hapur në një prodhim televiziv amerikan, një moment që shënoi një kthesë të rëndësishme për kohën.
Ellen u shpreh se vlerësimi për këtë arritje në Londër kishte një domethënie të veçantë për të, sidomos pas reagimeve negative që kishte përjetuar në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, paraqitja e saj nuk u prit njëzëri nga publiku. Në rrjetet sociale, disa shikues kritikuan ftesën e saj në emision, duke vënë në dyshim arsyen e rikthimit në ekran në mungesë të një projekti të ri për të promovuar.
Polemikat që shoqëruan fundin e emisionit të saj vazhdojnë të ndikojnë në perceptimin publik ndaj prezantueses, e cila tashmë duket se po shqyrton mundësinë për të nisur një kapitull të ri profesional, këtë herë në Britani./mxh
