Sara Khan, aktorja indiane që fitoi zemrat e publikut shqiptar në rolin e Sadnës në serialin e njohur “Bidai”, ka ndarë një mesazh emocionues për Shqipërinë, duke shprehur mbështetjen e saj për qytetarët dhe veçanërisht për të rinjtë që po protestojnë.
Përmes një postimi në Instagram, aktorja ka treguar se lidhja e krijuar me publikun shqiptar gjatë viteve nuk është harruar, pavarësisht largësisë dhe kohës që ka kaluar nga transmetimi i serialit.
Sara ka kujtuar me nostalgji mënyrën se si shqiptarët e pritën personazhin e saj, duke theksuar se dashuria e marrë prej tyre ka mbetur një kujtim i veçantë për të.
Megjithatë, këtë herë mesazhi i saj nuk lidhej me kujtimet e së kaluarës, por me situatën aktuale në Shqipëri. Pamjet nga protestat dhe shqetësimi për të ardhmen e të rinjve e kanë nxitur aktoren të shprehë publikisht solidaritetin e saj.
Në reagimin e saj, Khan ka vënë theksin te nevoja që të rinjtë të dëgjohen, të trajtohen me dinjitet dhe të kenë mundësi të realizojnë ëndrrat e tyre në vendin ku janë rritur. Ajo ka shprehur gjithashtu shqetësimin për familjet që presin me ankth kthimin e sigurt të fëmijëve të tyre në shtëpi.
Një pjesë veçanërisht prekëse e mesazhit të saj u kushtohet prindërve të shqetësuar, të rinjve që po përjetojnë frikë dhe të gjithë atyre që po kalojnë momente të vështira pa e shprehur hapur dhimbjen e tyre.
“Ju jeni në mendimet dhe lutjet e mia”, ka shkruar aktorja, duke shtuar se shqiptarët e kanë bërë të ndihet e afërt me ta, edhe pse ndodhet mijëra kilometra larg.
“Dhimbja juaj nuk më duket aspak e largët”, ishte një nga fjalitë më domethënëse të reagimit të saj, përmes së cilës Sara tregoi se mbështetja e saj për shqiptarët shkon përtej ekranit.
Aktorja e përfundoi postimin me një dedikim të përzemërt, duke e firmosur si “Sadna juaj” dhe duke shoqëruar fjalët me një zemër të bardhë dhe flamurin shqiptar.
Mesazhi i Sara Khan ka rikthyer në vëmendje lidhjen e veçantë që seriali “Bidai” krijoi me publikun shqiptar. Edhe pas shumë vitesh, duket se dashuria e marrë nga shikuesit tanë mbetet e gjallë për aktoren, e cila këtë herë zgjodhi t’u dërgojë një mesazh përkrahjeje në një moment të vështirë për vendin./mxh
