Në një ceremoni të mbushur me emocione dhe praninë e emrave të mëdhenj të Hollywood-it, Emily Blunt dhe Stanley Tucci u nderuan me yjet e tyre në Hollywood Walk of Fame, duke marrë përkatësisht yjet me numër 2,841 dhe 2,842 në kategorinë e kinematografisë.
E veshur me një ansambël të bardhë të markës Magda Butrym nga koleksioni Pranverë/Verë 2026, Blunt u shpreh e emocionuar që ndan këtë moment të veçantë me Tucci-n, duke mos kursyer as batutat për marrëdhënien e tyre të afërt.
“Kalojmë tashmë shumë kohë bashkë dhe tani do të kalojmë edhe më shumë, ndërsa njerëzit do të ecin mbi yjet tanë, por nuk ka problem”, tha ajo me humor.
Nga ana tjetër, Tucci, elegant me një kostum blu të errët me vija, vijoi në të njëjtën linjë shakaje gjatë fjalës së tij. Ai falënderoi familjen dhe, duke iu referuar me humor Blunt-it, shtoi: “E dua që nga momenti i parë që e takova, kur ishte 22 vjeç, gjatë xhirimeve të The Devil Wears Prada.”
Në ceremoninë madhështore morën pjesë dhe mbajtën fjalime emra të njohur si Meryl Streep, Dwayne Johnson, Matt Damon dhe Robert Downey Jr., duke ndarë kujtime dhe vlerësime për dy aktorët.
Në fjalën e saj prekëse, Streep iu drejtua Blunt-it: “Emily, ndihem sikur të kam lindur. Jam jashtëzakonisht krenare për ty dhe mezi pres të punojmë sërish bashkë. Të dua, ashtu si të gjithë.”
Duke folur për Tucci-n, ajo theksoi vlerësimin global për të.
“Është e pamundur të mos e duash Stanley Tucci-n, kozmopolit, inteligjent, me humor, i mprehtë dhe jashtëzakonisht elegant. Të njoh më shumë si mikeshë sesa si kolege dhe të dua shumë.”
Ceremonia u shndërrua kështu në një festë jo vetëm të karrierave të tyre të suksesshme, por edhe të lidhjeve të forta njerëzore që kanë ndërtuar ndër vite në industrinë e filmit./mxh
