Modelja dhe aktorja Emily Ratajkowski ka vendosur të zgjerojë aktivitetin e saj në botën digjitale, duke iu bashkuar platformës Subs.com, një shërbim me abonim që u mundëson personazheve të njohur të publikojnë materiale ekskluzive për ndjekësit e tyre.
35-vjeçarja nuk do të jetë thjesht një krijuese përmbajtjeje në këtë platformë, por edhe një prej bashkëpronareve të saj. Lajmin e bëri të ditur të mërkurën, duke u bërë pjesë e projektit të themeluar nga Tim Stokely, emri që qëndron gjithashtu pas krijimit të OnlyFans.
Ratajkowski i bashkohet kështu një grupi personazhesh të njohur, mes të cilëve Megan Fox dhe Michele Morrone, të cilët iu bashkuan platformës muajin e kaluar si krijues dhe partnerë në pronësinë e saj.
Me më shumë se 27 milionë ndjekës në Instagram, modelja ka një audiencë të konsiderueshme, çka mund ta kthejë këtë sipërmarrje në një burim të rëndësishëm të ardhurash. Më herët, ekspertë të industrisë kishin parashikuar se vetëm Megan Fox mund të gjeneronte miliona dollarë në muaj nga përmbajtja me pagesë.
Megjithatë, Emily duket se ka një ide tjetër për mënyrën se si dëshiron të komunikojë me abonentët. Në vend që të fokusohet vetëm te fotografitë provokuese, ajo ka prezantuar një projekt të quajtur “Ditari me Emily-n”, një seri videosh përmes së cilës do të ndajë momente nga përditshmëria dhe interesat e saj personale.
Në një prononcim për këtë bashkëpunim, modelja kujtoi kohën kur platformat Tumblr dhe Blogspot u jepnin përdoruesve mundësinë të krijonin hapësira personale në internet, ku mund të publikonin lirisht fotografi, mendime dhe gjëra që u pëlqenin.
Sipas saj, Subs.com i rikthen pikërisht këtë ndjesi, duke i dhënë mundësinë të ndajë me një grup më të kufizuar ndjekësish fotografi nga udhëtimet, vende që pëlqen dhe momente që nuk do t’i publikonte në profilin e saj kryesor në Instagram.
Interesi për profilin e saj duket se mund të jetë i madh edhe për shkak të çmimeve të abonimit. Aktualisht, qasja mujore kushton 19.99 dollarë, ndërsa disa publikime individuale mund të blihen deri në 50 dollarë. Për momentin, nuk është bërë e ditur nëse do të ketë edhe formate të tjera përmbajtjeje përveç serisë së videove të paralajmëruara.
Pas Subs.com qëndron sipërmarrësi britanik Tim Stokely, i cili synon të krijojë një hapësirë ku personazhet publike të kenë më shumë kontroll mbi përmbajtjen dhe marrëdhënien me audiencën e tyre. Në platformë janë regjistruar gjithashtu Chloe Ferry, Carla Bonner dhe Amanza Smith.
Ndërkohë, Megan Fox ka shpjeguar më herët se vendimi për t’u bërë pjesë e këtij projekti lidhet me dëshirën për të pasur kontroll të drejtpërdrejtë mbi imazhin dhe mënyrën se si prezantohet para publikut.
Aktorja theksoi se për një kohë të gjatë gratë kanë qenë të dukshme në platformat digjitale, por jo domosdoshmërisht kanë pasur kontroll mbi hapësirën ku prezantohen. Sipas Stokely, Fox nuk është thjesht një emër i njohur në platformë, por një partnere e barabartë në zhvillimin e saj./mxh
