Last Updated on 23/09/2026 by Monika
Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja e ndodhur mbrëmjen e sotme, 23 shtator, në rrugën “Marko Boçari”, pranë gjimnazit “Petro Nini” në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të një lokali, ku dyshohet se autori dhe i plagosuri janë përleshur me njëri-tjetrin.
I plagosuri është 49-vjeçari Kreshnik Cara, i cili ka marrë disa goditje me mjet prerës në bark dhe ndodhet në spital, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Burime bëjnë me dije se 49-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, policia ka identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes, 50-vjeçari Toni Nake është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas incidentit.
Edhe pse u largua nga vendi i ngjarjes, arratia e tij nuk zgjati shumë, pasi u prangos nga policia.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të plagosjes.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Plagosi me mjet prerës 49-vjeçarin, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar. Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Marko Boçari” ishte dëmtuar me mjet prerës shtetasi K. C., 49 vjeç, shkuan në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve të shpejta hetimore e operacionale, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi T. N., 50 vjeç. Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 50-vjeçari ka plagosur me mjet prerës 49-vjeçarin, pas një konflikti për motive të dobëta.
I dëmtuari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./mxh
