E ftuar në rubrikën “Galeri” në emisionin “E Diell”, shkrimtarja Besa Myftiu ka rrëfyer historinë e babait të saj, Mehmet Myftiu, duke sjellë një dëshmi të fortë për jetën e tij nën regjimin komunist.
“Babai ka qenë shkrimtar dhe profesor. Pastaj u dënua nga regjimi dhe iu hoq e drejta për të botuar dhe për të dhënë mësim. Më pas shiti cigare për 25 vite te Rruga e Barrikadave. Arsyeja ishte romani “Shkrimtari”, që nuk doli fare. Ishte i pari libër disident i lindjes”, tregoi ajo.
Myftiu rrëfeu edhe historinë e romanit tjetër të babait të saj, “Leka”, si dhe përjetimet e tij të hershme dhe më pas përballjen me regjimin komunist:
“Babai kishte shkruar romanin Leka, që tregonte vuajtjet në kampet e përqendrimit nazist kur ishte vetëm 12 vjeç e gjysmë. 10 vite më vonë u internua nga komunistët dhe ishte në të njëjtën qeli me nazistët dhe fashistët, ndaj të cilëve kishte luftuar që fëmijë. Për këtë fliste edhe libri ‘Shkrimtari’. Babai atje ndenji 6 muaj dhe është vlerësuar si një nga librat më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Në do ta botojmë këtë libër”, tha ajo.
Ajo shtoi gjithashtu një episod lidhur me reagimin ndaj veprës:
“Një nga sekretarët e Partisë, që ishte edhe shok i Enver Hoxhës, u mahnit nga ai libër dhe këmbënguli t’ia çonte Enver Hoxhës.”
Duke vijuar rrëfimin, ajo tha:
“Babai im i tha se koha e këtij libri nuk ka ardhur akoma. Megjithatë, ra dakord. Kur erdhi, i tha babait se Enver Hoxha u tërbua dhe i kërkoi llogari se përse e lini këtë njeri të shkruajë. Nga ky moment, e drejta e botimit iu hoq, libri nuk u botua asnjëherë”./A.D
