Ermal Mamaqi duket se ka nisur punën për projektin e tij të radhës kinematografik dhe këtë herë nuk do të jetë vetëm. Aktori dhe producenti ka zbuluar se po përgatit një tjetër komedi shqiptare, në bashkëpunim me Vita Production dhe producenten Holta Dulaku.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Mamaqi përmes një postimi në Instagram, ku ka publikuar edhe një foto krah Holtës. “A jeni gati për një tjetër komedi në Kinematë Shqiptare? Këtë radhë vij më fuqishëm se kurrë. Sepse nuk vij vetëm”, shkruan ai, duke zbuluar kështu bashkëpunimin e ri.
Mamaqi tregon se me Holta Dulakun ka diskutuar për muaj me radhë për historinë që do të sjellin në ekran dhe duket se tashmë projekti ka marrë formë.
“Kur dy palë e duan të njëjtën gjë me të njëjtin seriozitet, gjysma e punës është bërë”, shprehet ai, ndërsa falënderon Holtën për besimin dhe guximin për të investuar në një film shqiptar.
Detajet e komedisë së re ende nuk janë zbuluar, duke e lënë publikun kurioz për historinë, kastin dhe datën e premierës. Por një gjë është e sigurt: pjesën tjetër, siç thotë vetë Mamaqi, do ta shohim në sallat e kinemasë. Një pjesë e kastit duket se është zbuluar nga fotot e postuara në Instagram nga vetë aktori ku mund të shohim emra si Mariana Kondi apo Irgen Çela.
Filmi vjen si një bashkëprodhim i Mamaqi Production & Vita Production dhe do të mbajë titullin “Zdromsat”./mxh
