Nga Brian Judge
Pas vitesh përgatitjesh, tre organet qeverisëse të BE-së, Parlamenti Europian, Këshilli Europian dhe Komisioni Europian janë më në fund gati të fillojnë negociatat formale mbi euron digjitale. Kur ta bëjnë këtë, një projekt që dikur u konceptua si një modernizim teknokratik i infrastrukturës monetare do të bëhet një nga çështjet më të kontestuara politikisht në axhendën e bllokut.
Komisioni dhe Banka Qendrore Europiane (BQE) e kanë përshkruar euron digjitale si një përpjekje për t’i përshtatur monedhën fiat epokës digjitale. Ky kornizim, megjithëse i paplotë, e çoi projektin përmes fazës së përgatitjes teknike. Ai nuk do ta çojë më tej.
Euroja digjitale nuk është thjesht një përmirësim teknik. Ajo është një projekt politik në traditën e gjatë të ndërtimit të institucioneve europiane, dhe suksesi apo dështimi i saj në fund do të varet më pak nga inxhinieria sesa nga nëse udhëheqësit e Europës janë të gatshëm ta mbrojnë atë.
Pritet që rezistenca të shfaqet nga disa drejtime. Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka adoptuar një qëndrim haptazi armiqësor ndaj monedhave digjitale të bankës qendrore, ndërkohë që promovon stablecoins private të denominuara në dollarë. Rusia me gjasë të madhe do ta trajtojë euron digjitale si një front tjetër në luftën e saj hibride kundër Europës. Dhe brenda vetë BE-së, euroskeptikët do ta shfrytëzojnë projektin si provë të tejkalimit të kompetencave nga ana e teknokratëve dhe do ta kthejnë atë në një magnet për teoritë e konspiracionit.
Politikanët europianë kanë kaluar vite duke vendosur bazën teknike për euron digjitale. Tani ata duhet të qasen ndaj luftës politike për të ardhmen e saj me të njëjtin rigorozitet.
Për gati 80 vjet, Europa ka ndjekur atë që historiani i ndjerë britanik Tony Judt e përshkroi si ndërtimin e kapacitetit kolektiv për të kompensuar dobësitë individuale. Komuniteti Europian i Qymyrit dhe Çelikut, tregu i përbashkët, monedha e vetme, Marrëveshja e Schengenit dhe zgjerimi i BE-së—secili ishte një akt i vullnetit politik që ndihmoi në kthimin e katastrofës së Luftës së Dytë Botërore në një sistem të qëndrueshëm të institucioneve të përbashkëta. Në tërësi, këto përpjekje përbëjnë një nga eksperimentet më të suksesshme politike në historinë moderne.
Por projekti i integrimit të Europës, që ka zgjatur dekada, është nën një trysni të jashtëzakonshme. Ndërsa Rusia vazhdon të luftojë kundër demokracive liberale të Europës, garancitë e sigurisë amerikane nuk mund të merren më si të mirëqena. Ndërkohë, Kina po riformëson tregtinë globale në mënyra që paraqesin një kërcënim ekzistencial për bazën industriale të Europës.
Siç ka argumentuar historiani gjerman Kiran Klaus Patel, vetëimazhi i BE-së shpesh ka tejkaluar arritjet e saj reale. Në praktikë, integrimi ka qenë i pabarabartë, duke nxitur pakënaqësi që partitë e ekstremit të djathtë në të gjithë kontinentin i kanë shfrytëzuar për të marrë pushtet dhe për të minuar projektin europian.
Për shumë europianë, “Europa” regjistrohet më shumë si një abstraksion i largët sesa si një komunitet politik—një burim rregulloresh, kufizimesh dhe akronimesh që rrallëherë përmirësojnë jetën e përditshme. Liritë që ka sjellë integrimi europian janë reale, por lehtësisht të marra si të mirëqena. Kostoja, përkundrazi, është konkrete dhe e lehtë për t’u kundërshtuar. Çdo projekt politik i mbajtur nga konsensusi i elitave dhe ligji i traktateve do të ishte në thelb i brishtë.
Në zemër të kësaj brishtësie qëndron ajo që filozofi i ndjerë gjerman, Jürgen Habermas, e përshkroi si “joshjen e teknokracisë”: tundimi për të avancuar integrimin europian përmes mekanizmave që anashkalojnë publikun demokratik në emër të të cilit ai ndiqet.
Euroja digjitale, e konceptuar nga ekspertët në Frankfurt dhe Bruksel, rrezikon të bjerë në të njëjtën kurth, sepse vendimet që janë teknikisht të sakta, por keq të kuptuara, janë objektiva të lehta për sulmet politike. Një sondazh i fundit i Bundesbank-ut theksoi problemin, duke zbuluar se vetëm 42% e gjermanëve kishin dëgjuar për euron digjitale, dhe vetëm një e katërta e tyre mund të shpjegonin saktë se çfarë është ajo.
Habermas, megjithatë, tregoi një zgjidhje: një identitet europian të përbashkët të bazuar në pjesëmarrje të gjerë në institucionet e përbashkëta. Euroja digjitale mund të ofrojë pikërisht atë lloj përvoje të përbashkët. Shumica e formave të integrimit europian, nga harmonizimi rregullator te rregullat fiskale, mbeten të padukshme për qytetarët e zakonshëm. Por një monedhë digjitale do t’u lejonte qindra miliona europianëve—të cilët shumica e tyre dinë pak për mekanikat institucionale të integrimit—të ndërvepronin çdo ditë me të njëjtin sistem pagesash, duke përdorur të njëjtën ndërfaqe, kudo që të jenë në zonën euro.
Tregu i vetëm ka rezultuar jashtëzakonisht i lehtë për t’u dominuar nga kompanitë amerikane. Rreth dy të tretat e transaksioneve me karta krediti në zonën euro mbështeten në Visa dhe Mastercard, dhe 13 nga 21 anëtarët e saj nuk kanë një alternativë vendase. Çdo transaksion ka tarifa që funksionojnë si një taksë private mbi tregtinë europiane. Përpjekja aktuale e BE-së për autonomi strategjike në mbrojtje, gjysmëpërçues dhe infrastrukturë cloud ka pak rëndësi nëse nuk shtrihet edhe te sistemet e pagesave që mbështesin ekonominë e Europës.
Për një brez që ka përjetuar integrimin kryesisht si një sërë kufizimesh, euroja digjitale mund të bëhet një institucion europian shumë i dukshëm që e bën jetën më të lehtë. Pak iniciativa në agjendën euvropiane mund të demonstrojnë përfitimet e prekshme të integrimit dhe bashkëpunimit ndërkufitar po aq efektivisht.
Nëse vitet e ardhshme do të rivendosin projektin europian për një botë të rikonfiguruar rrënjësisht apo do të shënojnë fillimin e një fragmentimi më të thellë, mund të varet shumë nga mënyra se si do të zhvillohet debati mbi euron digjitale. Një BE e bashkuar do të mbetej një fuqi kontinentale unike, e përkushtuar ndaj demokracisë liberale, të drejtave të njeriut dhe një të ardhmeje të qëndrueshme, ndërsa një Europë e copëtuar do të ishte shumë më e prekshme ndaj detyrimit të jashtëm.
Banka Qendrore Europiane nuk mund të bëjë argumentin politik për euron digjitale. Komisioni Europian, qeveritë kombëtare dhe Parlamenti Europian duhet ta bëjnë këtë. Dhe ata duhet të jenë të sinqertë për atë që po mbrojnë: euroja digjitale nuk është thjesht një përpjekje për të modernizuar sistemin e pagesave të zonës së eurot; ajo është një institucion europian që merr formën e një sistemi pagesash.
Bërësit e politikave duhet ta paraqesin këtë argument qartë dhe me vendosmëri. Euroja dixhitale nuk duhet të bëhet një tjetër artefakt teknokratik, i imponuar nga lart dhe gjerësisht i pabesueshëm. Ajo duhet të jetë një shprehje e gjallë e ambicieve më të larta të Europës.
Brian Judge është Drejtor i Kërkimeve në Programin për Financat dhe Demokracinë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.
Copyright: Project Syndicate, 2026.www.project-syndicate.org-A.D
