Europa po përballet me një nga sezonet më të rënda të zjarreve në vitet e fundit, ndërsa vala e të nxehtit ekstrem dhe erërat e forta po favorizojnë përhapjen e flakëve në Francë, Spanjë dhe Itali.
Vetëm gjatë javës së fundit, rreth 330 mijë persona janë detyruar të evakuohen nga zonat e rrezikuara.
Në Francë, autoritetet urdhëruan evakuimin e afro 4 mijë turistëve nga kampingjet dhe strukturat turistike pranë resortit bregdetar Lacanau, në perëndim të Bordosë. Masa u mor për shkak të rrezikut që zjarri të përhapej drejt zonave të banuara dhe turistike.
Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi situatën si “më të vështirën që nga Lufta e Dytë Botërore”, duke paralajmëruar se javët në vijim do të jenë sfiduese për ekipet e emergjencës.
Sipas autoriteteve franceze, zjarri në departamentin Gironde ka shkatërruar rreth 42 mijë hektarë pyje. Edhe pse flakët janë pjesërisht nën kontroll, zjarrfikësit druhen nga riaktivizimi i tyre për shkak të temperaturave të larta dhe erërave.
Situata mbetet kritike edhe në Spanjë, ku një grua e plagosur rëndë nga zjarret në provincën Almeria humbi jetën në spital, duke e çuar në 14 numrin e viktimave të këtij zjarri. Ndërkohë, vendi po përballet me valën e katërt të të nxehtit këtë verë.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi se vendin e presin “orë të vështira”, por shtoi se autoritetet kanë filluar të shohin përmirësime në luftën kundër flakëve.
Një nga zjarret më të mëdha në historinë e Spanjës vazhdon të digjet në zonën malore të Ávilës, ku janë përfshirë nga flakët rreth 50 mijë hektarë. Zjarrfikësit kanë ndryshuar strategjinë e ndërhyrjes, duke u fokusuar te evakuimi i banorëve dhe mbrojtja e pronave, pasi intensiteti i zjarrit e bën shumë të rrezikshme ndërhyrjen direkte.
Bashkimi Evropian ka angazhuar avionë dhe helikopterë zjarrfikës për të mbështetur Francën dhe Spanjën. Zyrtarët evropianë paralajmërojnë se zjarret mund të vazhdojnë deri në fillim të nëntorit dhe se viti 2026 rrezikon të regjistrohet si një nga më shkatërruesit për sipërfaqen e djegur në kontinent.
Ekspertët lidhin përkeqësimin e situatës me ndryshimet klimatike, ndërsa vlerësohet se vala e të nxehtit në Europë ka shkaktuar deri tani të paktën 10 mijë viktima./mxh
