Bashkimi Europian ra dakord të heqë gradualisht importet e gazit natyror rus deri në fund të vitit 2027, si pjesë e një përpjekjeje për t’i dhënë fund varësisë mbi një dekadë nga energjia ruse.
Përfaqësues të qeverive të BE-së dhe Parlamentit Europian arritën një marrëveshje në orët e para të së mërkurës mbi propozimet e paraqitura nga Komisioni Europian në qershor, për të ndalur dërgesat nga ish-furnizuesi kryesor i gazit të bllokut, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Sipas marrëveshjes, BE-ja do të ndalojë përgjithmonë importin e gazit rus dhe do të ecë drejt një faze të ndërprerjes së naftës ruse. Importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) do të përfundojnë deri në fund të vitit 2026, ndërsa gazi përmes tubacioneve deri në fund të shtatorit 2027.
“Sot, ne po i ndalojmë këto importe përgjithmonë,” tha në një deklaratë Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian, organit ekzekutiv të BE-së.
“Duke tkurrur arkën e luftës së Putinit, ne shprehim solidaritet me Ukrainën dhe hedhim sytë drejt partneriteteve dhe mundësive të reja energjetike për sektorin.”
Për kontratat afatshkurtra të lidhura para 17 qershorit të këtij viti, ndalimi do të zbatohet nga 25 prilli 2026 për LNG-në dhe nga 17 qershori 2026 për gazin që vjen përmes tubacioneve.
Për kontratat afatgjata të lidhura para 17 qershorit, afatet e ndërprerjes do të jenë fillimi i vitit 2027 dhe fillimi i tetorit 2026, me një mundësi shtyrjeje njëmujore për vendet e BE-së që hasin vështirësi në arritjen e niveleve të kërkuara të rezervave.
Që nga tetori, Rusia përfaqësonte 12% të importeve të gazit të BE-së, nga 45% që ishte para pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, me Hungarinë, Francën dhe Belgjikën ndër vendet që ende marrin furnizime.
Komisioni Europian është gjithashtu i angazhuar të heqë gradualisht importet e mbetura të naftës nga Rusia deri në fund të vitit 2027, me një propozim legjislativ që pritet të paraqitet në fillim të vitit të ardhshëm.
Sipas marrëveshjes së së mërkurës, vendet anëtare të BE-së do t’i paraqesin Komisionit deri më 1 mars “planet kombëtare të diversifikimit” për furnizimet me naftë dhe gaz, dhe do të jenë të detyruara të njoftojnë ekzekutivin e BE-së nëse kanë kontrata furnizimi me gaz rus apo ndalime kombëtare në fuqi. m.p.
