Last Updated on 25/09/2026 by EL
Një ndalim i eksporteve amerikane të dizelit nuk do të sillte domosdoshmërisht boshatisjen e menjëhershme të pikave të karburantit në Europë, por do të krijonte presion të fortë mbi një treg që tashmë po përballet me furnizime të kufizuara dhe çmime të larta. Për konsumatorët, fermerët dhe kompanitë e transportit, pasoja më e drejtpërdrejtë do të ishte rritja e kostove, ndërsa qeveritë europiane mund të detyroheshin të ndërmerrnin masa të reja për të stabilizuar tregun.
Çështja është veçanërisht e ndjeshme për Bashkimin Europian, i cili pas ndërprerjes së importeve ruse është bërë gjithnjë e më i varur nga furnizimet amerikane me dizel. Komisioni Europian ka pranuar këtë varësi dhe ka nisur diskutimet me vendet anëtare dhe industrinë për pasojat e mundshme të një kufizimi amerikan. Në të njëjtën kohë, tregu europian po përballet me një situatë të vështirë furnizimi, e ndikuar nga ndërprerjet në Lindjen e Mesme dhe kufizimet ruse për eksportet e dizelit.
Çmimet europiane të dizelit janë më shumë se dyfishuar që nga fillimi i vitit dhe në mesin e shtatorit ishin rreth 38% më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, rafineritë në mbarë botën po operojnë pranë kapaciteteve të tyre maksimale, duke kufizuar mundësinë për të zëvendësuar shpejt furnizimet që mund të humbnin nga tregu amerikan.
Sipas të dhënave të Kpler, SHBA-ja ka furnizuar këtë vit rreth 180 mijë fuçi dizel në ditë për vendet e Bashkimit Europian, nga rreth 580 mijë fuçi në ditë që importohen nga jashtë bllokut. Kjo do të thotë se furnizimet amerikane përbëjnë rreth 32% të importeve ekstra-BE, nga 17% që ishin në vitin 2025. Në Europën Veriperëndimore varësia është edhe më e madhe, me furnizimet amerikane që përbëjnë rreth 57% të importeve nga jashtë rajonit.
Një kufizim i eksporteve amerikane nuk do të përkthehej domosdoshmërisht në një rritje të çmimeve në të njëjtën përqindje me sasinë e humbur. Por blerësit europianë do të duhej të konkurronin më fort për furnizimet alternative, duke u përballur në të njëjtin treg me kërkesën nga Mesdheu, Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore. Pikërisht kjo konkurrencë për një numër të kufizuar ngarkesash mund të krijojë presion të konsiderueshëm mbi çmimet.
Franca do të ishte ndër vendet më të ekspozuara. Presidenti Emmanuel Macron e ka cilësuar një ndalim të mundshëm amerikan si “katastrofik” dhe ka kërkuar nga Komisioni Europian të shqyrtojë lehtësimin e përkohshëm të disa specifikimeve të karburanteve, në mënyrë që rafineritë europiane të rrisin prodhimin e dizelit dhe karburantit të avionëve. Parisi ka kërkuar gjithashtu koordinimin e një tjetër çlirimi të rezervave strategjike të naftës.
Franca ka importuar këtë vit rreth 63 mijë fuçi dizel në ditë nga SHBA-ja, që përbëjnë rreth 36% të importeve të saj të dizelit. Situata është komplikuar edhe nga mbyllja e rafinerive në Grandpuits dhe Donges, duke rritur nevojën e vendit për furnizime nga jashtë.
Edhe Britania e Madhe mbetet e ekspozuar, me rreth 50 mijë fuçi dizel në ditë të importuara nga SHBA-ja, ose rreth 26% të importeve të saj. Mbyllja e rafinerisë Grangemouth ka shtuar më tej varësinë britanike nga tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, një ndërprerje e menjëhershme nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht mungesa të menjëhershme në Europë. Dizeli është një prej produkteve të naftës që ruhet në sasi të konsiderueshme dhe rezervat ekzistuese mund të absorbojnë një pjesë të goditjes fillestare. Problemi do të shfaqej më qartë nëse kufizimet do të zgjateshin, pasi rezervat nuk mund të zëvendësojnë për një kohë të gjatë furnizimet e rregullta.
Ekspozimi ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Italia importon vetëm rreth 4% të dizelit të saj nga SHBA-ja, ndërsa Spanja rreth 19%. Portugalia është edhe më pak e ekspozuar. Në rastin e Spanjës, rafineritë e Cartagena, Bilbaos dhe Huelvës ofrojnë gjithashtu një burim të rëndësishëm furnizimi vendas.
Sfida kryesore do të ishte gjetja e alternativave pasi rezervat të fillonin të pakësoheshin. India shihet si një nga burimet e pakta që mund të ofrojë sasi të konsiderueshme, por edhe eksportet indiane kanë rënë ndjeshëm, nga rreth 582 mijë fuçi në ditë vitin e kaluar në rreth 352 mijë këtë vit. Furnizimet indiane me dizel drejt Europës janë ulur edhe më shumë, nga rreth 163 mijë në vetëm 50 mijë fuçi në ditë.
Kina dhe Koreja e Jugut, ndërkohë, nuk duken në gjendje të mbulojnë një boshllëk të madh. Eksportet e tyre të dizelit drejt Europës këtë vit kanë qenë minimale, ndërsa kufizimet tregtare, kontratat ekzistuese në tregjet aziatike dhe rënia e kapaciteteve të disponueshme për eksport kufizojnë më tej mundësitë.
Në këtë pikë, çështja e dizelit po shndërrohet nga një problem tregtar në një çështje më të gjerë të sigurisë energjetike europiane. Varësia nga furnizimet e jashtme po rikthen debatin mbi madhësinë e rezervave strategjike të karburanteve të përpunuara, kapacitetin e rafinerive europiane dhe mënyrën se si vendet anëtare mund të koordinojnë furnizimet në rast të një krize të re.
Në SHBA, diskutimi për kufizimin e eksporteve lidhet edhe me presionin e brendshëm mbi çmimet e karburanteve. Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka diskutuar me rafineritë mundësinë e një kufizimi vullnetar të eksporteve, si alternativë ndaj një ndalimi të përgjithshëm 90-ditor.
Por një masë e tillë mund të ketë pasoja edhe brenda SHBA-së. Sipas një analize të Energy Policy Research Foundation, rafineritë amerikane mund të përballeshin me rritje të rezervave të padisponueshme për eksport dhe ulje të marzheve të fitimit, duke i shtyrë disa prej tyre të reduktonin prodhimin. Meqë benzina, dizeli dhe karburanti i avionëve prodhohen në të njëjtat procese rafinimi, një ulje e aktivitetit të rafinerive mund të ndikonte në të tre produktet.
Kështu, një vendim amerikan për eksportet e dizelit do të kishte një efekt përtej tregut amerikan. Për Europën, çështja nuk lidhet vetëm me atë se sa fuçi mund të mungojnë, por me aftësinë e tregut për t’i zëvendësuar ato në një moment kur furnizimet globale janë tashmë të shtrënguara dhe hapësira për prodhim shtesë është e kufizuar./et
