Pse liberalët e tregut duhet të fitojnë betejën për Brukselin dhe kryeqytetet kombëtare
Të gjithë e dinë se ekonomia e Bashkimit Europian rëndohet nga barra e rregulloreve. Por ndoshta nuk e keni vënë re se tashmë këtë e pranojnë edhe vetë europianët. Ata janë aq të shqetësuar, sa vrulli për të zgjidhur problemin është më i madh se në çdo moment tjetër të një brezi.
Më 28 prill, BE-ja prezantoi plane për ta bërë procesin e hartimit të rregullave më të thjeshtë dhe më të qëndrueshëm. Ajo paraqiti një afat për realizimin e kësaj dhe për heqjen e barrierave tregtare brenda bllokut.
Pyetja trilionëshe është nëse, pas shumë nismave të dështuara, Europa mund t’i kthejë më në fund qëllimet e mira në përparim.
Europa duhet të rritet nëse dëshiron të paguajë borxhet, të kujdeset për grupin në rritje të qytetarëve të moshuar dhe të mbrohet pa ndihmën e Amerikës.
Megjithatë, ekonomia e saj mbetet shumë pas asaj të Xha Semit (personifikimi simbolik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës). Në tremujorin e parë, prodhimi ekonomik shënoi rritje të papërfillshme dhe tani lufta me Iranin ka rritur çmimet e energjisë.
Beteja për rritjen po zhvillohet në dy fronte. I pari është në Bruksel, ku përballen dy strategji shumë të ndryshme. Disa burokratë europianë mendojnë se BE-ja duhet të orientohet drejt subvencioneve, proteksionizmit dhe kapitalizmit shtetëror në stilin kinez.
Të tjerë parapëlqejnë rrugën liberale të tregjeve më të hapura, më konkurruese dhe më të integruara.
Vitet e fundit, mendimi ekonomik i BE-së ka marrë një nuancë më franceze: disi më dyshues ndaj tregjeve konkurruese dhe tregtisë së lirë, dhe më favorizues ndaj dirigjizmit ekonomik (një term ekonomik francez që përshkruan një model ku shteti luan rol të fortë drejtues në ekonomi, përmes ndërhyrjeve, planifikimit, subvencioneve dhe kontrollit mbi sektorë strategjikë).
Megjithatë, inkurajues është fakti se disa qëndrime më liberale po rezistojnë.
Ndryshimet e propozuara në rregullat e rrepta të BE-së për bashkimet e kompanive dikur dukeshin se do të zbusnin përkushtimin tradicional të bllokut ndaj mirëqenies së konsumatorit, në mënyrë që të krijoheshin “kampionë europianë”.
Tani duket se rregullat do të pësojnë vetëm ndryshime të vogla, jo një rishikim të plotë. Përkushtimi i Europës ndaj konkurrencës mbijeton.
Megjithatë, një gjë është të shmangësh kthimin pas. Po përparimi? Krahas nismës për derregulim, që përfshin dhjetë projektligje “omnibus” për të ulur kostot administrative të kompanive, tregtia vazhdon të liberalizohet.
Më 1 maj, një marrëveshje mes BE-së dhe Mercosur-it, anëtarët e plotë të të cilit janë Argjentina, Brazili, Paraguai dhe Uruguai, hyri përkohësisht në fuqi.
Marrëveshje të reja janë arritur gjithashtu me Indinë, Indonezinë dhe Australinë, ndërsa marrëveshje me Malajzinë dhe Filipinet janë në prag.
Ndryshe nga marrëveshjet tregtare shpesh sipërfaqësore dhe të brishta të Presidentit Donald Trump, këto janë të thella dhe rezultat i viteve të punës.
Beteja e dytë zhvillohet në nivel kombëtar dhe do të jetë më e vështirë për t’u fituar. Një pjesë e madhe e fuqisë për hartimin e rregullave qëndron te qeveritë kombëtare, të cilat pëlqejnë të fajësojnë Brukselin për burokracinë e tyre. Ato shpesh zgjedhin të mbrojnë kompanitë vendase, veçanërisht nga konkurrenca e huaj në sektorin e shërbimeve.
Gjithashtu, Ato gjithashtu ua shtojnë barrën rregullave të BE-së kur i transpozojnë në ligjet kombëtare.
Politikanët janë vazhdimisht nën presionin e proteksionistëve që kundërshtojnë gjithçka, nga lidhja e rrjeteve të energjisë elektrike deri te lejimi i kompanive të regjistruara në një vend për të operuar në një tjetër.
Reformat në nivel kombëtar ecin ngadalë. Çdo qeveri është një nga 27. Shumë pak prej tyre ndajnë ndjenjën e re të urgjencës së Brukselit.
Shumë prej tyre ngurrojnë të përballen me grupet e fuqishme të interesit, duke shpresuar të përfitojnë nga reformat që bëjnë vendet e tjera, pa paguar vetë koston politike.
Ndryshimet e fundit, si ato në shërbimin postar të Danimarkës apo në sistemin e pensioneve në Holandë, kanë ndodhur kryesisht në vende më miqësore ndaj tregut. Ndërsa vende të mbërthyera nga rregulla të shumta, si Italia dhe Gjermania, kanë bërë shumë pak.
Rritja ekonomike e Europës kërkon që qeveritë kombëtare t’i bashkohen përpjekjes liberalizuese. Kjo do të thotë gjithashtu zbatimi i shumë rekomandimeve të tjera të paraqitura në raportet e hartuara nga Enrico Letta dhe Mario Draghi, dy ish-kryeministra italianë.
Startup-et europiane kanë nevojë për më shumë kapital, që mund të sigurohet duke financuar në mënyrë të mjaftueshme skemat e pensioneve dhe duke vazhduar integrimin e tregjeve të kapitalit përtej kufijve.
Kontinenti duhet të tërheqë më shumë nga punëtorët më të talentuar të botës, me skema vizash në nivel blloku dhe njohjen e kualifikimeve të huaja.
Po ashtu, ka nevojë për energji më të lirë, gjë që kërkon investime në rrjet dhe projektim të kujdesshëm të tregjeve, ndërsa më shumë energji e rinovueshme hyn në sistem.
Asgjë nga këto nuk do të jetë e lehtë. BE-ja ka një pafundësi rregulloresh kundërproduktive. Përpjekjet për t’i hequr ato shpesh dështojnë, pasi shpesh forcat reaksionare si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë, i mbrojnë ato.
Por Europa mbetet një ekonomi gjigante, me 450 milionë banorë dhe me gati një të pestën e prodhimit botëror.
A do të mjaftojnë këtë herë përmasat e kësaj mundësie dhe pasojat e rënda të dështimit për ta shtyrë Europën të veprojë ndryshe? Më shumë se kurrë, europianët duhet të thjeshtojnë rregullat dhe të ulin barrën rregullatore.
Burimi: The Economist-A.D
