Last Updated on 01/06/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet e krijuara me palën greke pas incidentit në Zvërnec, duke i konsideruar të pavend deklaratat që, sipas tij, lidhnin ngjarjen me çështje etnike.
Rama tha se për herë të parë ka dëgjuar pretendime për një “popullsi homogjene greke” në zonën ku ndodhi incidenti, duke e cilësuar këtë qasje të çuditshme dhe të pabazuar.
“Për herë të parë dje dëgjova se aty paska një popullsi homogjene greke, nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. U mahnita nga deklarata e Ministrisë së Jashtme greke”, u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se ngjarja nuk përbën një akt dhune shtetërore, siç ka ndodhur sipas tij në raste të tjera me shtetas shqiptarë në Greqi, por një incident i shkaktuar nga një grup rojesh private.
Sipas Ramës, ngritja e çështjes në nivel etnik nuk i shërben marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat ai i cilësoi si aktualisht në një fazë të mirë.
“Ky ishte një akt dhune nga një grup rojesh private, dhe ngritja e shtetit në këmbë për të nënvizuar etninë e protestuesit nuk i shërben marrëdhënieve tona”, deklaroi ai.
Duke u ndalur te çështja e pronave, Rama tha se pretendimet për pronësi janë të ligjshme, por ato duhet të zgjidhen përmes gjykatave dhe institucioneve përkatëse. Ai theksoi se titujt e pronësisë janë baza e çdo zhvillimi ekonomik.
Sipas tij, rastet si ai i Baks-Rrjollit tregojnë rëndësinë e dokumentacionit të rregullt ligjor për zhvillimin e investimeve, ndërsa shtoi se vendi nuk mund të ecë përpara duke mbetur peng i pasigurive mbi pronën.
