Last Updated on 23/11/2026 by EL
Bashkimi Europian kërkon t’i mbyllë Rusisë edhe më shumë dyer, nga bankat dhe tregu i energjisë te aktivitetet sportive dhe kulturore. Komisioni Europian prezantoi këtë të hënë paketën e 22-të të sanksioneve kundër Moskës, e cila parashikon shkëputjen e rreth 60 bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, ndalimin e hyrjes në BE për ish-luftëtarët rusë dhe kufizime të reja për kompanitë europiane që bashkëpunojnë me sektorin energjetik rus.
Paketa u prezantua nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas. Masat janë ende propozime dhe duhet të miratohen unanimisht nga vendet anëtare të BE-së përpara se të hyjnë në fuqi.
Një nga goditjet kryesore synon sistemin financiar rus. Brukseli propozon zgjerimin e ndalimit të transaksioneve për 60 banka ruse, duke i përjashtuar ato nga SWIFT, rrjeti ndërkombëtar që përdorin bankat për të shkëmbyer mesazhe dhe udhëzime pagesash. Në shënjestër janë edhe platformat e kriptomonedhave dhe rrjetet e pagesave në Rusi, por edhe në vende të tjera që ndihmojnë Moskën të shmangë sanksionet europiane.
Për këtë qëllim, BE-ja ka krijuar edhe një grup të posaçëm pune për sanksionet ndaj kriptomonedhave, i cili do të mbështesë përpjekjet për të penguar shmangien e kufizimeve financiare.
Një tjetër masë prek drejtpërdrejt kompanitë europiane që punojnë në Rusi. Sipas propozimit, ato nuk do të lejohen më të ndihmojnë në ndërtimin, funksionimin apo riparimin e infrastrukturës energjetike ruse, përfshirë rafineritë e naftës. Për herë të parë, ndalimi do të shtrihet edhe te shërbimet në sektorin e energjisë elektrike.
Kufizimet zgjerohen edhe në transportin detar. Mbi 70 anije të tjera do të shtohen në listën e të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, ndërsa Komisioni propozon ndalimin e të gjitha anijeve cisternë që janë të siguruara në Rusi.
Por paketa nuk kufizohet vetëm te ekonomia. Brukseli kërkon gjithashtu t’u ndalojë hyrjen në Bashkimin Europian luftëtarëve dhe ish-luftëtarëve rusë që kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës që prej shkurtit 2022.
“Luftëtarët e mëparshëm rusë përbëjnë një rrezik për sigurinë e Europës. Nuk mund të lejohen të lëvizin lirshëm nëpër vendet tona. Prandaj, hyrja në Bashkimin Europian do të jetë e ndaluar për ta”, deklaroi Von der Leyen.
Kjo masë lidhet me shqetësimet e shtuara për sigurinë në Europë, pas incidenteve të muajve të fundit që përfshijnë tentativa për zjarrvënie, sabotime të infrastrukturës kritike dhe shkelje të hapësirës ajrore, të lidhura me aktivitetet ruse.
Ndryshime propozohen edhe për sportin dhe kulturën. Ekipet dhe sportistët rusë nuk do të lejohen të garojnë nën flamurin rus në aktivitetet sportive që zhvillohen në Bashkimin Europian. Po ashtu, propozohet ndalimi i shfaqjes së simboleve zyrtare ruse dhe kufizimi i financimeve nga sponsorët rusë për organizatat sportive dhe kulturore europiane.
“Ngjarjet sportive nuk mund të jenë një forum për aktivitete propagandistike”, tha presidentja e Komisionit Europian.
Paketa parashikon gjithashtu kufizime për shtetasit rusë që mbajnë poste drejtuese në federatat sportive europiane. Një tjetër ndryshim prek qytetarët europianë që janë pjesë e drejtimit të kompanive në Rusi. Komisioni propozon t’u ndalojë atyre të vazhdojnë të mbajnë poste në organet drejtuese të këtyre kompanive.
“Nuk mund të vazhdojmë të bëjmë biznes si zakonisht në marrëdhëniet tona ekonomike me Rusinë”, deklaroi Von der Leyen.
Me paketën e re, BE-ja synon të rrisë presionin ekonomik dhe politik ndaj Moskës për luftën në Ukrainë, duke shtrirë kufizimet edhe në fusha që nuk lidhen drejtpërdrejt me tregtinë dhe financat.
“Do të vazhdojmë të propozojmë sanksione të reja derisa Rusia të tregojë një vullnet të vërtetë për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë”, theksoi Von der Leyen.
Për momentin, asnjë nga masat e paketës së 22-të nuk ka hyrë në fuqi. Propozimi duhet të marrë miratimin unanim të Këshillit të BE-së, që do të thotë se të 27 vendet anëtare duhet të bien dakord përpara se kufizimet e reja të zbatohen./et
