Presidentja e Bankës Qendrore Europiane (BQE), Christine Lagarde, i bëri thirrje Komisionit Europian të heqë barrierat e brendshme tregtare, duke paralajmëruar se ato po pengojnë konkurrueshmërinë.
Christine Lagarde, ka lëshuar një paralajmërim të fortë mbi konkurrueshmërinë e Bashkimit Europian, duke i bërë thirrje Komisionit Europian që urgjentisht të heqë barrierat e brendshme që po pengojnë inovacionin, produktivitetin dhe investimet në gjithë bllokun.
Në një intervistë me Martin Wolf, komentatorin kryesor ekonomik të Financial Times, Lagarde tha se ekonomia e Eurozonës kishte treguar qëndrueshmëri përballë goditjeve gjeopolitike dhe ekonomike. Megjithatë, ajo theksoi se nevojiten reforma më të thella strukturore për të çliruar potencialin e saj të plotë, duke shtuar se politika monetare nuk mund ta arrijë këtë qëllim e vetme.
“Jemi mjaft pranë potencialit, por ka shumë për t’u bërë për përmirësimin e produktivitetit në zonën e euros,” tha Lagarde.
Lagarde iu referua asaj që e përshkroi si “tarifa të vetë-shkaktuara” që vazhdojnë të kufizojnë lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve brenda BE-së.
Sipas vlerësimeve të BQE-së, barrierat e brendshme tregtare përkthehen në një tarifë efektive prej 110% për shërbimet dhe 60% për mallrat që tregtohen mes shteteve anëtare, një nivel që ajo e konsideroi “tronditës”.
“Kemi një aftësi të veçantë për t’ia bërë këtë vetes,” tha ajo.
“Po kufizojmë qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve mes shteteve anëtare që supozohet të jenë një treg i vetëm. Dhe kjo është ajo që duhet rregulluar, dhe duhet rregulluar shpejt.”
Lagarde paralajmëroi se një fragmentim i tillë, i nxitur shpesh nga rregulloret kombëtare që shkojnë përtej kërkesave të BE-së, po dëmton aftësinë e Europës për të konkurruar në skenën globale.
“Të gjithë duan të zbukurojnë, të ‘veshin me ar’ dhe të shtojnë vetëm pak më shumë,” vuri në dukje ajo, duke iu referuar prirjes së autoriteteve kombëtare për t’i shtuar barrë rregullatore më shumë nga sa kërkon Brukseli. m.p.
