Last Updated on 19/11/2025 by Monika
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka kërkuar forcimin urgjent të mbrojtjes së infrastrukturës kritike në Europë, duke theksuar se aftësia për të lëvizur shpejt trupat ushtarake është thelbësore për mbrojtjen e kontinentit.
Gjatë një konference në Komisionin Europian, ku u prezantua një paketë e re për rritjen e mobilitetit ushtarak dhe transformimin e industrisë së mbrojtjes, Kallas tha se Europa duhet të jetë e përgatitur për sfidat e reja të sigurisë.
“Infrastruktura jonë kritike ka nevojë për më shumë mbrojtje. Lëvizja e shpejtë e forcave ushtarake europiane është thelbësore për mbrojtjen e Europës. Duhet të sigurojmë që trupat të jenë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur,” theksoi Kaja Kallas.
Nisma e re vjen pas incidentit të fundit në hekurudhën polake, që autoritetet e Varshavës e kanë lidhur me dy shtetas ukrainas të dyshuar se kanë bashkëpunuar me shërbimet ruse të inteligjencës. Ngjarja ka nxjerrë në pah dobësitë e rrjetit europian të transportit dhe nevojën për të mbrojtur strukturat që janë të domosdoshme për mbrojtjen e përbashkët.
Pakoja e propozuar nga BE synon të thjeshtojë transportin ushtarak ndërkufitar, të rrisë koordinimin mes vendeve anëtare dhe të garantojë që forcat europiane të reagojnë më shpejt ndaj kërcënimeve të reja, duke siguruar mbrojtjen e infrastrukturës strategjike.
Brukseli paralajmëron se masat e reja do të nisin të zbatohen në muajt në vijim./MXH
