Qeveria e Letonisë ka qenë viktima e parë politike e dronëve në Bashkimin Evropian. Futja e dy “bombave fluturuese”, njëra prej të cilave ra mbi një cisternë të zbrazët karburanti, shkaktoi një krizë parlamentare, duke sjellë të enjten e kaluar krijimin e një shumice të re me një kryeministër tjetër.
Disa orë më vonë, ndodhi një inkursion në Rumani, me një mjet shpërthyes që shpërtheu mbi ndërtesën në Galați dhe shkaktoi dy të plagosur: viktimat e para fizike të dronëve. Shkeljet e kufijve në frontin lindor po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe të gjithë pyesin veten se çfarë ndodhi me “Murin kundër mjeteve të telekomanduara”, të premtuar nga Komisioni i BE-së në shtator 2025.
Realiteti është i thjeshtë: Evropa e mbrojtjes ekziston vetëm në formë financimesh dhe projektesh, të gjitha me afate të ngadalta. Në praktikë, e vetmja që vepron është NATO, përmes mjeteve dhe ushtarëve të kontinentit të vjetër. Thuajse çdo natë në Poloni, Rumani dhe vendet baltike janë avionët luftarakë të Aleancës që ngrihen për të interceptuar dronët që vijnë nga lindja. Ata e bëjnë këtë me armët më të shtrenjta, raketat ajër-ajër, dhe me kufizime të mëdha: nuk mund të hapet zjarr nëse ekziston rreziku që mbeturinat, me eksploziv dhe karburant, të bien mbi shtëpi.
Presioni mbi vijën e kuqe që shtrihet nga Finlanda deri në Rumani, ku prej dy vitesh përputhen kufijtë e NATO-s dhe BE-së, vazhdon të rritet. Ka një qarkullim të vazhdueshëm dronësh, si rusë ashtu edhe ukrainas. Të provosh se cilat fluturime janë qëllimisht armiqësore është pothuajse e pamundur: sistemet e ndërhyrjes kibernetike dhe elektronike i devijojnë ose madje mund t’i hakojnë për t’i drejtuar drejt objektivave të tjera nga ato të caktuara. Ka një dyshim të fortë, për shembull, se dronët ukrainas që ranë në Letoni ishin të destinuar për rafineritë e Shën Petersburgut, por janë devijuar nga kundërmasat ruse.
Është krijuar një zonë gri kolosale, ku Kremlini intensifikon goditjet për të rritur klimën e tensionit dhe për të tentuar të shkaktojë përçarje politike: pikërisht ajo që ka ndodhur në Vilnius, duke konfirmuar sa shumë siguria dhe kërcënimi konkret i luftës janë bërë temat kyçe në vendet qendrore-veriore të Bashkimit Evropian.
Dhe “Muri i Dronëve”? Nisma po ecën përpara dhe që në tetor janë ndarë nga Brukseli 250 milionë euro për të studiuar zgjidhje teknologjike. Ideja është të rritet aftësia e forcave të veçanta ushtarake duke vepruar mbi dy shtylla: zhvillimi i zgjidhjeve të teknologjisë së lartë dhe rritja e prodhimit industrial të këtyre sistemeve.
Për ta bërë realitet këtë barrierë, megjithatë, duhen kapërcyer dy probleme të mëdha. I pari është zbulimi i dronëve: radarët ekzistues janë të projektuar për të gjetur avionë të mëdhenj metalikë, ndërsa protagonistët e rinj të luftës janë të vegjël dhe të ndërtuar me fibra qelqi. Kjo është arsyeja pse BE-ja po mbështetet te inteligjenca artificiale, me një mision të dyfishtë. Ajo duhet të përpunojë sinjalet e radarëve për të zbuluar trajektoret e “objekteve fluturuese të paidentifikuara”, duke njohur edhe modelet e tyre për të përcaktuar origjinën.
Dhe po ashtu IA do të duhet të koordinojë një barrierë “shumështresore” që përfshin raketa tokë-ajër, topa me zjarr të shpejtë, sisteme ndërhyrjeje elektronike, dronë kundër-dronëve dhe avionë luftarakë. Ky formacion i larmishëm është i vetmi që duket se funksionon. Sepse dronët janë një “epidemi” që po përhapet në çdo cep të botës, por kundër së cilës nuk ekziston një antidot universal. Si viruset, ato evoluojnë vazhdimisht: një variant çdo gjashtë muaj. Dhe edhe mbrojtjet duhet të përditësohen me të njëjtin ritëm. Një sfidë me të cilën as Izraeli nuk ka arritur të përballet: dronët quadcopter të Hezbollahut prej javësh kalojnë pa u ndalur “Iron Dome”-in që e kishte bërë shtetin hebre pothuajse të paprekshëm nga raketat. Ekziston vetëm një vend që ka krijuar një kupolë efektive dhe e përforcon vazhdimisht: Ukraina.
Rruga e Kievit është rruga e shkurtër që Komisioni i Brukselit ka zgjedhur për të provuar të vendosë sa më shpejt “Murin e Dronëve”. Ukrainasit kanë praktikisht gjithçka që mungon në ushtritë evropiane: rrjet zbulimi dhe komandimi të menaxhuar nga inteligjenca artificiale; sensorë të projektuar posaçërisht; modele të shumta dronësh interceptues. Dhe të gjitha me kosto të ulët. Në fakt, nisma e BE-së bëhet një nxitje “nga lart” për bashkëpunimin tashmë ekzistues “nga poshtë” midis kompanive evropiane dhe ukrainase në fushën e teknologjisë.
Është e lehtë të kuptohet se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të thjeshtë tregtare, por për embrionin e një aleance ushtarake: ndarja e teknologjive ushtarake me natyrë strategjike nuk ndodh kurrë vetëm në këmbim të parave. Dhe mbrojtja e kufirit lindor po e shtyn kufirin e BE-së më në lindje, edhe para se të nisë procedura e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkim.
Shkrim nga La Repubblica/kb
