Pa garanci ligjore të pakompromis, qendrat e migracionit jashtë territorit të BE-së rrezikojnë të përsërisin gabimet më të rënda të së kaluarës.
Michael O’Flaherty
Evropa ka hyrë në një epokë të re të menaxhimit të migracionit përmes delegimit të përgjegjësive te vende të treta. Pas votimit në Parlamentin Evropian, rregullorja e re e Bashkimit Evropian për kthimin e migrantëve po i afrohet miratimit, duke premtuar kthime “më efikase” dhe procedura “më të shpejta” për dëbimin e migrantëve që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE.
Kjo do t’u japë shteteve anëtare bazën ligjore për ngritjen e të ashtuquajturave “qendra kthimi” (return hubs), pra struktura të vendosura jashtë territorit të Bashkimit Evropian, ku do të përpunohen rastet e personave që konsiderohen pa të drejtë qëndrimi në BE.
Pavarësisht kundërshtimeve nga vende si Spanja dhe Franca, si edhe protestave të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shumë qeveri të tjera duken të vendosura ta ndjekin këtë rrugë. Një letër e hapur, e nënshkruar nga 19 shtete anëtare vetëm pak ditë pas votimit në Parlamentin Evropian, ku kërkohet “shfrytëzimi i plotë i mundësive të reja”, tregon se zbatimi mund të nisë shumë shpejt. Austria, Danimarka, Gjermania, Greqia dhe Holanda janë ndër vendet që kanë dalë në krye të kësaj nisme dhe po përgatiten të krijojnë qendra të përbashkëta, të cilat pritet të bëhen funksionale brenda një kohe të shkurtër.
Këto zhvillime tregojnë se ide të cilat deri dje konsideroheshin margjinale, juridikisht të papranueshme dhe të motivuara më shumë nga ideologjia sesa nga faktet, tashmë po paraqiten si politika normale dhe të arsyeshme qeverisëse. Politizimi i thellë i këtij ndryshimi u pa qartë gjatë votimit në Parlamentin Evropian, kur disa eurodeputetë brohoritën “Dërgojini mbrapsht!”, duke festuar largimin e qenieve njerëzore me entuziazmin e një mitingu elektoral. Në garën për politika gjithnjë e më të ashpra migratore, mbrojtja e të drejtave të njeriut, mbi të cilën u ndërtua Evropa moderne, po trajtohet gjithnjë e më shumë si diçka e sakrifikueshme.
Vendimi për t’i hapur rrugë qendrave jashtë territorit të BE-së duhet të shqetësojë këdo që njeh koston njerëzore të këtyre skemave në të kaluarën. Historia tregon se ato nuk janë zgjidhje administrative të padëmshme. Nuk ka pasur asnjë nismë për delegimin e politikave migratore që të mos ketë ngritur shqetësime serioze për të drejtat e njeriut.
Kur Australia krijoi qendrat e përpunimit të azilkërkuesve në Nauru dhe Papua Guinenë e Re, mijëra njerëz, përfshirë fëmijë, sipas Kombeve të Bashkuara, u mbajtën për vite me radhë në paraburgim arbitrar, në kushte çnjerëzore. Pasojat ishin trauma të rënda fizike dhe psikologjike, si edhe të paktën 12 viktima.
Po kështu, organizatat për të drejtat e njeriut denoncuan përpjekjet e Izraelit gjatë viteve 2010 për të nxitur azilkërkuesit nga Sudani dhe Eritrea të pranonin një zhvendosje të ashtuquajtur “vullnetare” drejt Ruandës dhe Ugandës. Në praktikë, shumë prej tyre u përballën me abuzime, pasiguri ligjore ose u detyruan të largoheshin sërish.
Në Shtetet e Bashkuara, eksperimentet e viteve 1990 për mbajtjen e refugjatëve haitianë jashtë juridiksionit amerikan, përfshirë bazën e Guantanamos, kanë evoluar në marrëveshje që lejojnë transferimin e migrantëve drejt vendeve me të cilat ata nuk kanë asnjë lidhje. Raportet dokumentojnë raste të ndalimit arbitrar, torturës, trajtimeve çnjerëzore, zhdukjeve me forcë dhe mohimit të kontaktit me familjarët apo avokatët. Në disa raste, vendet pritëse i kanë kthyer më pas personat në vendin e tyre të origjinës, duke i ekspozuar ndaj rrezikut të refoulement, pra rikthimit në vende ku jeta ose liria e tyre rrezikohet.
Bashkëpunimi i fundit, shumë i diskutuar, mes Agjencisë Amerikane për Zbatimin e Ligjit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) dhe burgut gjigant CECOT në Salvador, ku të dëbuarit janë mbajtur në kushte ekstreme, ngre një pyetje themelore për politikëbërësit evropianë: A është ky modeli ndëshkues dhe i deleguar që Evropa dëshiron të importojë?
Evropa nuk është e panjohur me politikat e eksternalizimit të migracionit. Shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të refugjatëve dhe migrantëve në Libi dhe Tunizi tregojnë se bashkëpunimi me vende të treta për të ndalur mbërritjet drejt BE-së ka shumë gjasa të prodhojë shkelje serioze dhe të përhapura të të drejtave të njeriut, nëse nuk vendosen garanci të forta që në fillim.
Edhe përpjekjet e mëparshme evropiane për ngritjen e qendrave jashtë territorit të BE-së e konfirmojnë këtë model. Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë është shoqëruar me pikëpyetje të shumta mbi përputhshmërinë e saj me të drejtën evropiane. Ajo ka treguar se transferimi i migrantëve jashtë territorit të BE-së mund t’ua kufizojë rëndë aksesin te avokatët, përkthyesit dhe gjykatat, duke dobësuar mjetet ligjore që janë thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të tjera.
Ndërkohë, bashkëpunimi i Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën, që synonte transferimin e procedurave të azilit dhe jo të kthimit, u rrëzua nga Gjykata Supreme britanike, e cila konstatoi mangësi sistemike në sistemin gjyqësor dhe të azilit në Ruandë, që nuk garantonin mbrojtjen e personave nga kthimi në vende ku mund të përballeshin me përndjekje.
Si mund të besohet se këtë herë do të jetë ndryshe? Megjithatë, qeveritë evropiane që po shtyjnë përpara krijimin e qendrave të kthimit vazhdojnë të japin të njëjtën garanci: se ato do të funksionojnë në përputhje të plotë me detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Me zbatimin që duket i afërt, deklaratat e përgjithshme nuk mjaftojnë më. Rreziku është tepër i madh. Nga njëra anë, vendet evropiane po eksperimentojnë me jetët e njerëzve. Rreziqet janë të dokumentuara dhe do të shtohen edhe më shumë nëse partneritetet lidhen me vende që kanë histori të dobët në respektimin e të drejtave të njeriut.
Nga ana tjetër, efikasiteti i këtyre qendrave nuk është provuar ende. Kjo nismë mund të konsumojë fonde të mëdha publike deri në momentin kur gjykatat të ndërhyjnë, duke dëmtuar njëkohësisht besueshmërinë ndërkombëtare të Bashkimit Evropian.
Përpara se të ngrihet një qendër e vetme ose të shpenzohet qoftë edhe një euro, qeveritë duhet të marrin katër angazhime themelore:
- Së pari, të kryejnë vlerësime të plota të rrezikut për të drejtat e njeriut përpara çdo marrëveshjeje dhe të garantojnë që personat e prekur të kenë mundësi reale ankimi dhe akses në gjykata. Nëse shkeljet nuk mund të parandalohen në mënyrë të besueshme, bashkëpunimi nuk duhet të vazhdojë.
- Së dyti, të lejojnë monitorim të pavarur, rigoroz dhe të vazhdueshëm të kushteve në terren. Çdo shkelje duhet të pasohet me masa konkrete, ndërsa sistemi duhet të ketë një mekanizëm pezullimi të menjëhershëm në rast se evidentohen shkelje serioze të të drejtave të njeriut.
- Së treti, marrëveshjet me vendet pritëse duhet të jenë juridikisht detyruese dhe të përmbajnë klauzola të forta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të zbatueshme në gjykatë. Nëse një vend nuk pranon angazhime të tilla, marrëveshja nuk duhet të nënshkruhet.
- Së fundi, i gjithë procesi duhet të jetë transparent. Vlerësimet, marrëveshjet dhe raportet duhet të bëhen publike, në mënyrë që të mund të ushtrohet kontroll efektiv nga gjykatat, parlamentet, mediat dhe opinioni publik.
Të kërkosh këtë nivel rigoroziteti nuk është e pamundur. Përkundrazi, është minimumi i nevojshëm për të kufizuar rreziqet e “zgjidhjeve inovative” të propozuara nga disa qeveri evropiane. Nëse Evropa vendos të ecë përpara në këtë terren të rrezikshëm, ajo duhet të pranojë edhe mekanizmat mbrojtës që do të parandalojnë krijimin e “vrimave të zeza” të të drejtave të njeriut.
