Nga Piotr Buras*
Që nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, fokusi i politikës evropiane është zhvendosur drejt lindjes. Çështje me rëndësi të madhe për Poloninë, shtetet baltike dhe Evropën Qendrore e Lindore — si siguria energjetike, kërcënimi rus dhe dezinformimi — kanë zënë vend qendror në axhendën politike të BE-së. Perspektivat dhe interesat e përfaqësuara nga evropianët lindorë kanë fituar njohje dhe mbështetje më të madhe.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo përbën një zhvendosje të pushtetit nga Perëndimi në Lindje, siç është diskutuar shpesh. Pa dyshim, rëndësia në rritje e çështjeve që shqetësojnë evropianët lindorë ka pasur ndikim të konsiderueshëm në dinamikën e brendshme të BE-së. Ky fenomen shoqërohet me dy zhvillime kyçe: së pari, BE-ja ka përjetuar një vakum lidershipi të paparë. Trazirat politike në Francë kanë dobësuar Emmanuel Macronin, ndërsa problemet me koalicionin gjerman “semafor” e kanë lënë Gjermaninë praktikisht jashtë lojës. Së dyti, procesi kompleks i hartimit të politikave të BE-së — i përkeqësuar nga fuqia e vetos së Hungarisë — bashkë me nevojën për fleksibilitet dhe reagim të shpejtë, ka bërë që takimet ad hoc dhe koalicionet vullnetare të jenë format më të efektshme për të shmangur bllokimet.
Bashkëpunim i zgjeruar
Shfaqja e bashkëpunimit të zgjeruar në Evropën Verilindore është ndoshta tendenca më domethënëse që pasqyron këtë dinamikë të re. Koordinimi midis vendeve nordike dhe baltike nuk është i ri — ai ka filluar që nga vitet 1990. Grupi i Tetë vendeve Nordike-Baltike (NB8), që përfshin Danimarkën, Suedinë, Finlandën, Lituaninë, Letoninë, Estoninë, Norvegjinë dhe Islandën, është një shembull i bashkëpunimit të ngushtë si brenda, ashtu edhe jashtë BE-së.
Toomas Hendrik Ilves, ish-president i Estonisë, dhe Gabrielius Landsbergis, ish-ministër i jashtëm i Lituanisë, shkruajnë në një raport se: “Raioni i Detit Baltik, duke përjashtuar Rusinë, ka qenë një nga zonat më dinamike dhe me rritjen më të shpejtë në botë. Së bashku me konvergjencën ekonomike, shtetet nordike të mirëqenies, fuqia ekonomike gjermane dhe Polonia me shtetet baltike kanë pësuar transformim dramatik gjatë 35 viteve të fundit. Afërsia midis vendeve të rajonit është rritur gjithashtu.”
Çështjet me rëndësi për Poloninë, shtetet baltike dhe Evropën Qendrore e Lindore — energjia, kërcënimi rus dhe dezinformimi — kanë zënë vend qendror në axhendën evropiane.
Tre faktorë të rinj kanë forcuar rëndësinë rajonale të grupit NB8. Pranimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO ka vendosur të gjithë anëtarët në një pozitë të barabartë në politikën e sigurisë, duke hapur mundësi për lidhje më të ngushta. Siguria dhe mbrojtja, sidomos pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, janë bërë fusha kyçe bashkëpunimi. “Rreshtimi i plotë” ndaj Rusisë ka qenë nxitësi kryesor i forcimit të lidhjeve midis vendeve. Ndryshimi i qeverisë në Poloni në dhjetor 2023 e ka bërë Varshavën partner kyç për NB8, duke forcuar ndikimin politik të grupit. Pas fitores së Donald Tusk, pengesat e periudhës së Ligjit dhe Drejtësisë (PiS) u hoqën, duke hapur rrugën për bashkëpunim strategjik.
Kthehu në veri
Historikisht, Polonia ishte e fokusuar kryesisht te Grupi i Vishegradit dhe te Trekëndëshi i Vajmarit. Flirtimi i Orbán dhe Fico me Putinin, së bashku me qasjet kontradiktore të vendeve të Vishegradit ndaj BE-së, e bënë bashkësinë e interesave në Evropën Qendrore dhe Lindore një ëndërr të parealizuar. Ndërsa Trekëndëshi i Vajmarit është rigjallëruar, politika e jashtme e Polonisë pas 2023 ka qenë e orientuar drejt veriut.
Kjo qasje u prit me entuziazëm nga vendet baltike dhe nordike. Menjëherë pas formimit të qeverisë Tusk, Polonia u përfshi në konsultimet joformale të NB8 para samiteve të BE-së. Interesat strategjike dhe ekonomike kanë nxitur këtë afrim: Danimarka, Suedia dhe Finlanda janë investitorët e tretë më të mëdhenj në Poloni, pas Gjermanisë dhe Francës. Investimet në energjinë e erës në det të hapur dhe blerjet e pajisjeve ushtarake, si nënndetëset suedeze, kanë rritur tërheqjen e Polonisë për partnerët skandinavë.
Samiti Nordik-Baltik në Harpsund, Suedi, në nëntor 2024, bashkoi Kryeministrin Tusk me udhëheqës të tjerë dhe demonstroi nivelin e ri të bashkëpunimit. Pas samitit, Suedia dhe Norvegjia kontribuuan në mbrojtjen e qendrës logjistike për Ukrainën në Rzeszów.
Kontrolli i Detit Baltik
Donald Tusk propozoi krijimin e “mbikëqyrjes detare” për të mbrojtur infrastrukturën kritike të Baltikut, pas incidenteve me anije ruse dhe kineze që kishin dëmtuar kabllot nëndetëse. Pas luftës së Rusisë me Ukrainën, Baltiku ka marrë një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Transformimi i rrugëve të transportit detar dhe energjia e erës në det të hapur kanë përqendruar vëmendjen tek rreziqet për infrastrukturën kritike.
Polonia importoi rreth 6.5 bcm gaz natyror në vitin 2023 përmes terminalit LNG në Swinoujscie, duke zëvendësuar plotësisht importet nga Rusia. Terminalet e naftës dhe linjat e energjisë me tension të lartë, si SwedLink dhe EstLink, janë thelbësore për transportin dhe mbrojtjen e energjisë. Mbrojtja e kësaj infrastrukture është bërë prioritet për vendet nordike dhe baltike, përfshirë Poloninë.
Ideja e Tuskut u mbështet nga NB8 dhe NATO; misioni Baltic Sentinel u nis në Helsinki në janar 2025 për të penguar veprimet keqdashëse. Projekti përfshin Mburojën Lindore Polake dhe iniciativën e Vijës së Mbrojtjes Baltike. Polonia luajti rol kyç në sigurimin e fondeve për këto projekte në kuadër të iniciativës SAFE prej 150 miliardë eurosh.
Kërcënimet ndaj sigurisë kanë afruar vendet e Evropës Verilindore dhe kanë krijuar një vullnet të fortë politik për të ndjekur një axhendë të përbashkët. Megjithëse ka kufizime në bashkëpunimin nordik-baltik-polak, sidomos në fusha si politika klimatike dhe konkurrueshmëria, këto vende janë të bashkuara për sigurinë dhe migracionin.
Pavarësisht sfidave, kërcënimet ndaj sigurisë i kanë afruar shumë vendet e Evropës Verilindore dhe ekziston një interes i madh për të ndjekur një axhendë të përbashkët. BE-ja është më e larmishme se kurrë dhe do të kërkojë disa qendra të reja të gravitetit politik — ku roli i Evropës Verilindore mund të jetë vendimtar.
*Piotr Buras është bashkëpunëtor i lartë kërkimor dhe drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) në Varshavë.
Burimi: lavanguardia.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
